Valentin Balaj 26-vjeçar është vrarë mbrëmë në Klinë. Sipas familjes së tij, dorasi është vëllai i vajzës me të cilën një nga vëllëzërit ishte në lidhje dashurie për dy vite.
Sipas versionit të Valonit, dorasi nuk është pajtuar që një nga djemtë e familjes Balaj të jetë në lidhje dashurie me motren e tij. E, për ketë gjë, ai thotë se janë marrë vesh që të mos ngacmohen familjet mes vete.
Por, Valon Balaj tha se Valentini mbrëmë u vra tradhëtisht pasi e kanë telefonuar se gjoja do ta japin pajtimin për lidhjen e dashurisë.
“Unë jam Valon Balaj, Valentinin e kam vëlla. Deri të ngjarja ka ardhë, u kanë shkak tradhtie. Vllau i tretë ka pas të bëjë me çikën e atij (familjes së dorasit), kemi shku e kemi lyp, ka thënë s’e jap. I kam thënë qysh po ia bëjmë, ia kam çu njerëzit, i kam dëshmitarë. Jemi marrë vesh, tha, as mos më ngucni as s’ju nguci. Tradhtisht e ka thirrur mbrëmë, vëllain – djali i tij. Hajde dalim folim se du me ta bo per hair, edhe e ka mbyt”, tha Balaj.
Ai tha se çifti kanë pasur raporte të mira mes vete, por nuk i di arsyet pse familja nuk e kanë pranuar për dhëndër vëllain e tij dhe të Valentinit.
“Deri para 4 dite kanë pas raporte të mira, para katër ditë ai e ka maltretu edhe çikën e vetë. Edhe, çika ka vendos me u prish prej tij. Atë ditë kemi vendos me njerëz, që mos me bë më të madhe këtë punë. Janë kanë në lidhje afër dy vjet, mendoj që mirë, kanë pas besim në njëri-tjetrin…Familjes se tyne s’ju ka përshtat vëllai për arsye të tyre, unë s’e di për çfarë arsye, as s’mi ka thënë. Por, e di që kanë thënë s’ta dha (çikën), edhe jemi kuptu. I kam dëshmitarët, jemi ulë kemi bisedu, iu kemi thënë as s’ju ngucim, senet që i ka djali ia kam fshi në telefon. E ka zgjatur dorën, ka thënë po, edhe mbrëmë e ka tradhtu, e ka qit tradhëtisht. Edhe nuk e kam lajmëru në polici më përpara, kam mendu me u bë burrë me të, po me të pa burrin…”.
Valentini ka vdekur rreth orës dy të mengjesit të sotëm, në QKUK.
“Kur kam shku në vendin e ngjarjes, ishin kanë vetëm shiritat aty…Ai u lajmëru vetë në polici, kam vazhdu në Pejë dhe në Prishtinë. Në orën 2 ka ndërru jetë…Deri tash nuk kanë kontaktu me familjarët e dorasit, nuk kam qejf as në rrugë me i pa”, shtoi ai për Express.
Ai tha se vëllai i tij Valentini ka qenë i besueshëm dhe në fëmijëri ka qenë problematik, por prej që është martuar, jo.
“Valentini ka qenë shok i mirë, i besueshëm, në moshën fëmijërore ka qenë problematik. Por, derisa u martu dhe ka pas një çikë, ka vazhdu jetën. Prej punës ka ardhë mbrëmë, me tesha të punës ka qenë…Ai e ka një çikë dy vjeç”, përfundoi ai.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se i dyshuari i vrasjes së 26-vjeçarit është ndaluar dhe ndaj të njëjtit do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person është privuar nga jeta. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obdukim. Një person i dyshuar për këtë rast është arrestuar, me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit prokurori i shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.
Ndërsa, policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole me katër fishekë.
26-vjeçarit do t’i jepet lamtumira e fundit sot në orën 16:00.