Sporti

Flet Daja pas fitores, tregon telashet e Ballkanit

08/19/2022 08:10
nga:E K

Ballkani ka arritur një fitore të jashtëzakonshme në udhëtim ndaj Shkupit.

Skuadra kosovare arriti triumfin me rezultat 1-2 në ndeshjen e parë të vlefshme për fazën e Play Offit për kualifikimet e Europa Conference League, shkruan GazetaBlic Sport.

Të parët në avantazh kaluan vendasit me golin e Adetunjit në minutën e 19’të.

Kampionët e Kosovës u kundërpërgjigjen shpejt pas 4 minutave lojë me anë të Albion Rrahmanit i cili u bë edhe golashënuesi më i mirë i kësaj faze të garës me 6 gola të shënuar.

Në pjesën e dytë Korenica i dha fitoren Ballkanit me anë të një supergoli në minutën e 67’të të takimit.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i Ballkanit, Ilir Daja për “DigitAlb“.

Sa i kënaqur jeni për këtë fitore dhe sa e rëndësishme do të jetë për kualifikimin?

Ishte një ndeshje që do të vendosej nga episodet dhe ishim përgatitur për këtë ndaj më vjen mirë që sot morëm një rezultat pozitiv. Ne do të luajmë shanset tona për të shkuar në fazën e grupeve, por nuk jemi favoritë as pas kësaj fitoreje. Ishim përgatitur që ta prisnim Shkupin, që e njeh më mirë këtë terren dhe ka cilësi për të bërë diferencën, ndaj lojtarët e interpretuan mirë ndeshjen.

Sa shanse ka Ballkani të shkojë në grupet e Conference League?

Çdo trajner ka dëshirë të kalojë në grupe. Unë kam luajtur edhe në Play Off-it të Europa League, por ne duhet të bëjmë maksimumin përballë një Shkupi që sot na vuri shumë në vështirësi. Nëse duam ta bëjmë atë hapin e madh, duhet që të ruajmë këtë mënyrë loje edhe në javën e ardhshme. Megjithatë më parë kemi kampionatin të dielën dhe pastaj do të mendojmë për ndeshjen e kthimit.

A mbetet loja në ajër e kundërshtarit, një nga momentet që Ballkani e vuan jo pak?

Është një vërejtje me vend, pasi ne ndëshkohemi shpesh në goditjet standarde. Megjithatë duke mos pasur Rustem Hoxhën dhe Sinanin, u penalizuam disi, pasi janë pikat tona të forta në lojën në ajër.

A zgjidhet ky problem në merkato?

Ne kemi bërë merkaton më të mirë në Kosovë, pasi kemi mbajtur grupin fitues, por natyrshëm që na duhet të përforcohemi dhe lojtarin që do të zgjedhim, duhet ta gjejmë shtatlartë që të na ndihmojë edhe në lojën në ajër.

/GazetaBlic Sport/