Policia e Kosovës ka dhënë detaje për mos lejimin e serbëve që të kryejnë liturgjinë në Kishën e Shpëtimtarit në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, ka thënë për Gazeta Blic se rreth orës 04:30 njësia patrulluese policore përgjatë kryerjes së detyrave të zakonshme në zonën qendër, ka ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj, të cilët janë liruar për të vazhduar më tej, pasi janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga Policia.
Ai ka shtuar se nuk ka aktivitet tjetër të paralajmëruar fetar, përpos liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh në Prishtinë.
“Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar. Ky aktivitet ka qenë i paralajmëruar dhe për aq sa i takon policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të tij.”, ka thënë Borovci për Gazeta Blic.


