Lajme

Flasin familjarët e pasagjerëve të zhdukur “Titan”- Ata kishin një shpirt të veçantë aventure!

06/23/2023 10:50
nga:Y I

Familjarët e pasagjerëve të nëndetëses së zhdukur Titan, që tani raportohen si të vdekur, janë shprehur të shkatërruar për humbjen e të dashurve të tyre.

Nëndetësja Titan, e cila dërgon pasagjerë deri në rrënojat e Titanikut, të fundosur në vitin 1912, në Oqeanin Atlantik, u zhduk më 18 qershor.

Pas kërkimeve intensive nga shumë shtete, Roja Bregdetare e SHBA-së tha më 22 qershor se pasagjerët kanë vdekur pasi nëndetësja besohet të ketë shpërthyer.

Brenda nëndetëses ishin eksploruesi britanik, Hamish Harding, eksperti francez i nëndetëseve, Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanezo-britanik, Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë OceanGate që ofron ekspeditën me nëndetësen Titan, Stockton Rush.

Harding ishte një miliarder dhe aventurier me tre rekorde Guinness, ndërsa dy pjesëtarët e familjes Dawood i përkisnin një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Nargeolet ishte i njohur me nofkën “Zoti Titanik” për zhytjet e tij të thella në rrënojat e Titanikut.

Familja e Hardingut reagoi ndaj njoftimin për vdekjen e pesë pasagjerëve duke thënë se ai ishte një “eksplorues me plot pasion”, por dhe “burrë i dashur dhe baba i përkushtuar ndaj dy djemve të tij”.

“Arritjet e tij gjatë jetës ishin me të vërtetë mbresëlënëse dhe, nëse mund të gjejmë sadopak ngushëllim në këtë tragjedi, e humbëm atë teksa e bënte atë që donte”, thuhet në deklaratën e familjes.