Lajme

Flasin analistët: Opsionet për formimin e Qeverisë së re

02/10/2025 21:58
nga:G B

Dje në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Nga rezultatet preliminare nga KQZ, Vetëvendosje është partia e parë me 40.83 për qind, PDK partia e dytë me 22.15 për qind, LDK e treta me 1759, AAK-Nisma e katërta me 7.47.

Por, kush mund ta formojë Qeverinë e re?

Lidhur me këtë dhe rezultatin, duke mos llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, për Gazeta Blic kanë dhënë vlerësimet e tyre analistët politikë.

Analisti Blerim Gashi thotë se VV ka fitore bindëse dhe mund ta formojë qeverinë me komunitetin joserb.

“Fitorja e LVV është fitore bindëse dhe me rezultatet e votës së diasporës, si dhe atyre me kusht por edhe ndarjes proporcionale të votave që nuk kalojnë cenzusin arrihet numri real që ia mundëson LVV krijimin e shumicës parlamentare, gjithmonë duke presupozuar se partnerët/përfaqësuesit politik të komuniteteve turke, boshnjake, rome, egjiptiane dhe ashkalinj, si dhe një deputet nga partia e z.Rashiç dakordohen për qeverisje me LVV-në’, thotë ai.

Sipas tij, është i pamundur dhe i padobishëm një koalicion i VV-së me ndonjërën nga partitë opozitare.

“Një koalicion me LDK, PDK apo AAK-Nisma , e shoh jo vetëm të pamundur por edhe skajshmërisht të padobishëm për kauzën dhe orientimin e LVV”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se VV s’do të mund ta formojë e vetme qeverinë.

“VV s’mund ta themelojë qeverinë vet, VV duhet të ketë 45 % plus minoritet 20%, në të kundërtën opozita themelon qeverinë. Kushtetuta obligon bashkëpunimin e opozitës sipas procedurës, pra dy herë ka të drejtë të përpiqet VV ta bëjë qeverinë, bojkoti është antikushtetuese por opozita është deklaruar se nuk do të bashkëpunojë”, shprehet ai.

Sipas Burjanit, i mbetet pastaj presidentes që t’ia kalojë të drejtën partisë së dytë për ta formuar qeverinë.

“Është në duart e presidentes që t’i ecë procedurat, nëse dështon marrëveshja e VV-së me partitë opozitare, t’i kalohet procedura te partia e dyte fituese për të themeluar qeverinë. Edhe po u bë qeveria opozitare, ajo mund të ketë jetëgjatësinë vetëm një vit, për shkak se duhet të zgjedhet presidentja e re. VV mund të bllokojë dhe të mos qëndrojë në Kuvend 2/3 që janë të nevojshme për të filluar procedura, pra brenda 45 ditësh, shteti shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, pra do të ketë sërish zgjedhje”, ka deklaruar Blerim Burjani./Gazeta Blic/

Kush mund ta formojë qeverinë e re? Flet Arifi