Lajme

Flasin analistët: A janë zgjedhjet në veri, zgjidhje për situatën e tensionuar

06/03/2023 14:55
nga:G B

Zgjedhje të reja në veri po kërkohen sa më parë nga bashkësia ndërkombëtarët.

Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në to.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është shprehur e gatshme për shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri, derisa kryeministri Albin Kurti ka thënë se veriu ka nevojë për zgjedhje të lira, por që paraprakisht nuk duhet të ketë protesta të dhunshme dhe ata që i kanë bërë ato duhet të përballen me drejtësinë.

Analisti politik, Halil Matoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se zgjedhjet e parakohshme në veri janë obligim shtetëror për t’i dhënë legalitetit edhe legjitimitetin popullor.

“Zgjedhjet e parakohshme gjithëpërfshirëse, në katër komunat kosovare janë obligim shtetëror për shkak të mirëmbajtjes së demokracisë, për t’i dhënë legalitetit edhe legjitimitetin popullor”, vlerëson ai.

Sipas tij, “sovraniteti i përket popullit dhe pa pjesëmarrjen e popullit në procesin zgjedhor, sovraniteti kthehet në të kundërtën e vet”.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, thotë për Gazeta Blic se zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri nuk e zgjidhin situatën që është atje.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës nuk e zgjidhin çështjen në veri. Ato vetëm do ta forcojnë juridikisht pushtetin neofashist serb në veri të Kosovës”, thotë ai,

Sipas profesorit, para se të mbahen zgjedhjet, duhet të zgjidhen disa çështje në veri.

“Që zgjedhjet të zgjidhin çështjen janë disa punë shumë të rëndësishme që duhet domosdo të kryhen. Kur e them këtë mendoj:
1. Të dënohet invazioni politik, ushtarak dhe agresiv serb mbi këto katër komuna, nëpërmjet të cilave po synohet nga Serbia të ndahen katër komunat nga Kosova dhe të aneksohen nga shteti serb.
2. Pranimin de-fakto dhe de- jure të marrëveshjes së BE-së midis Kosovës dhe Serbisë, së bashku me aneksin e Ohrit.
3. Njohjen reciproke të shtetit.
4. Kapjen dhe dënimin e kriminelëve ruso-serbë në veri”, vlerëson Kelmendi për Gazeta Blic.

Ai shton se nëse nuk zgjidhen këto çështje, gjendja nuk mund të qetësohet.

“Në mungesë të mos zgjidhjes së këtyre çështjeve, zgjedhjet në veri të Kosovës vetëm e forcojnë pushtetin neofashist serb dhe gjendja nuk qetësohet. Me elementet kriminalo-terroriste të Listës Serbe dhe kriminelët fashistë në veri, de-fakto pushtohet ky territor dhe Republika gjendet buzë likuidimit de-jure të shtetit”, shton profesori.

Kelmendi vlerëson se zgjedhjet tani janë të rrezikshme dhe se zgjidhja e vetme është shkatërrimi i bandave në veri.

“Në kushtet aktuale zgjedhjet janë tejet të rrezikshme. Kërkohen masa konkrete për të shëruar gjendjen që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Rruga e vetme është tash për tash shkatërrimi i bandave neofashiste dhe çetnike serbe në veri. Me këto banda nuk ka zgjedhje. Bandat neofashist i duan katër komunat të aneksuara nën Serbi. E, Kosova këtë kurrsesi nuk mund ta pranojë. Kjo, për faktin se kështu shkatërrohet përfundimisht Republika. Këtë e do Serbia”, potencon ai.

Profesori kërkon që SHBA e BE të bëjnë presion ndaj Serbisë dhe ta disiplinojnë atë.

“Këtej lypset presion nga BE, qendrat evropiane dhe SHBA mbi Serbinë, për të pasur paqe edhe në veri dhe në tërë rajonin. Me shtetin neofashist serb paqe në këtë rajon nuk ka. Serbia kërkohet të disiplinohet, qoftë edhe ushtarakisht”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/

Kurti: Kryetarë të rinj mund të ketë veç pas zgjedhjeve – adresa për trysni është Beogradi

 

BE-ja: Zgjedhjet e reja në veri të mbahen sa më shpejt – dështimi për shtensionim do të ketë pasoja

 

Kurti: Veriu ka nevojë për zgjedhje të lira

“Një lloj fitore për Kosovë”/ Dy opsionet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri: Pse Lista Serbe s’mund t’i bojkotojë më ato