Sporti

Flamurtari transferon futbollistin serb, Aleksa Mrdja

07/05/2023 15:04
nga:Lorik J

Flamurtari një kantier ndërtimi. Dhe kjo ndodh vit pas viti, sidomos pas një sezoni që mbyllet pa u arritur objektivi.

Fillimisht iu dhanë frenat e drejtimit trajnerit të ri, Emiljano Çela, një personazh karizmatik, që ka marrë vlerësime për punën e tij në Kategorinë Superiore në stolin e Kastriotit, pavarësisht se sezoni i kaluar u mbyll me rënien nga kategoria: me “miellin” që kishte, atë buke mund të bënte.

Periudha e rindërtimit nisi me prezantimin e afrimeve të para: Silvio Zogaj, Antonio Ilieski, Elvi Berisha dhe Aldo Teqja. Këtë të mërkurë, klubi vlonjat, nëpërmjet kanaleve zyrtare, zyrtarizoi edhe dy afrime të tjera: të Aleksa Mrdja-s dhe Eni Imamit.
I pari, 23-vjeçari serb i lindur në Banja Luka, luan në rolin e qendërsulmuesit, ndërsa i dyti, një emër shumë i njohur i futbollit shqiptar (Dinamo, Tirana, Kukësi, Laçi, Teuta Skënderbeu dhe Vllaznia) jep garanci në qendër të mbrojtjes.

Sezonin e fundit, Imami ishte pjesë e Dinamon, që u rikthye pas një vitit në Superiore, por blutë Imamin “e lanë” në të Parën.

Por kuptohet, merkatoja për Flamurtarin mbetet e hapur. Për të synuar Superioren, kërkohet të tjerë lojtarë me cilësi dhe ambicie.