Lajme

Flaka Surroi i tregon me argumente Hekuran Muratit, rreth listës së publikuar nga ai

04/22/2021 20:22
nga:Gazeta Blic

Pronarja e “Grupit Koha”, Flaka Surroi i është kundërvënë ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, pas publikimit të listës së 50 ndërmarrjeve që përfituan më së shumti të hyra nga Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike, i formuar nga Qeveria Hoti.

Në mesin e “50 përfituesve më të mëdhenj” nga ky fond, sipas të dhënave të publikuara nga ministri Murati, është gjendur edhe grupi medial në pronësi të Surroit.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, ajo e ka cilësuar jo etik veprimin e ministrit Murati. Ka kritikuar atë për publikimin e pjesshëm të listës.

“Në kohën kur është marrë vendimi, askush nuk e ka kundërshtuar. Opozita nuk është dëgjuar të ketë thënë se nuk bën të përkrahen ata që tash etiketohen të jenë përfituesit më të mëdhenj. Tash, shtatë muaj më vonë, Ministri i Financave zgjedh ta botojë listën e pjesshme të përfituesve, dhe nuk e di për çfarë arsye nuk e boton të plotë. Në listën jo të plotë figuron vetëm KOHA si medium. E rastësishme apo e qëllimshme, mbase ministri na e shpjegon”, ka nënvizuar Surroi.

Sipas pronares së “Grupit Koha”, ministri Murati ka mashtruar publikun me mosdhënien e shpjegimit se ndarja e mjeteve për bizneset e prekura nga pandemia, është bërë “në bazë të të punësuarve”.

“Në mesin e 50 përfituesve më të mëdhenj, siç e thotë në status, pra është edhe KOHA. Porse në postimin e tij nuk e thotë në asnjë vend se ndarja është bërë në bazë të numrit të të punësuarve – prandaj edhe KOHA del në këtë pjesë të listës, për shkak se në dhjetor të 2019-s i ka pasur 244 punëtorë”, ka deklaruar Surroi.

“60 milionët janë shpërndarë për mbi 206 mijë të punësuar të sektorit privat. Megjithatë, kjo listë e “50 përfituesve më të mëdhenj” i përfshin vetëm 25 mijë punëtorë, duke treguar qartë se prapa lë një listë shumë të gjatë përfituesish më të vegjël, përfshirë edhe gastronominë, sa për të hequr dilema”, ka thënë ajo.

Tutje, Surroi ka thënë se “sa për informimin e ministrit dhe të komentuesve në FB, mjetet të i ka marrë KOHA nga pakoja emergjente, i janë kthyer Thesarit që të nesërmen në trajtën e tatimeve dhe kontributeve pensionale të punëtorëve”.