Turizem

Fjetja me flokë të kapura, dëmet e mëdha që shkaktohen nga ky veprim në dukje i thjeshtë

02/13/2022 16:30
nga:Donika Fetahu

Të pasurit flokë të bukura dhë të shëndosha është një nga dëshirat kryesore të çdo vajze.

Derisa mund të harxhohen shuma të mëdha të hollash në produkte të ndryshme për mirëmbajtjen e flokëve, do të ishte më mirë t’i kushtojmë më shumë vëmendje disa gjërave të thjeshta që janë pjesë e rutinës ditore, por që i shkaktojnë dëme të mëdha flokëve.

Fjetja me flokë të kapura është një nga këto gjëra të dëmshme, për të cilën ekzistojnë disa shpjegime.

Mbajtja e flokëve të lidhura shkakton presion në rrënjët e tyre, dhe kjo mund të bëhet edhe më e rrezikshme nëse vendosni të flini me flokë të kapura.

Sipas hulumtimeve të Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, fjetja me flokë të lidhura e shkakton rënien dhe këputjen e qimeve.

Kjo ndodhë ngaqë kapëset e flokëve krijojnë fërkim gjatë kohës sa jeni në gjumë, dhe bëni lëvizje të vazhdueshme.

Një problem tjetër që mund ta shkaktojë fjetja me flokë të lidhura, është gjendja shëndetësore e njohur si ‘alopecia’.

Alopecia shkakton humbjen e qimeve në kokë ose pjesë tjera të trupit.

Tërheqja e vazhdueshme e flokut mund ta shkaktoj këtë gjendje, ngase dëmton gjëndrat e flokëve.

Prandaj, ekspertët ju sugjerojnë që të flini me flokë të lëshuara ose të lidhura lirshëm në gërshet.