Lajme

“Fjalët humbën fuqinë për ta dënuar rastin”, Krasniqi: Dënime maksimale për dhunuesit e 11 vjeçares

08/29/2022 21:42
nga:G B

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sot fjalët kanë humbur fuqinë, për të dënuar mjaftueshëm rastin e dhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se sot ëndrrat e një fëmije dhe jeta e një familjeje janë shkatërruar.

Ai ka thënë se shtetit urgjentisht duhet të gjejë të gjithë të përfshirët në këtë krim dhe ndaj tyre, pa hezitim, të shqiptojë asgjë më pak se dënime maksimale.

Postimi i tij i plotë:

Sot, fjalët kanë humbur fuqinë për të dënuar mjaftueshëm rastin e dhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë.

Sot, ëndrrat e një fëmije dhe jeta e një familjeje janë shkatërruar.

Sot, shoqëria jonë, fatkeqësisht, jo për të parën herë viteve të fundit, ka shpërfaqur vrazhdësinë e saj me dhunën dhe krimin ndaj vajzave dhe grave.

Shteti, me të gjitha kapacitetet e veta, urgjentisht duhet të gjejë të gjithë të përfshirët në këtë krim dhe ndaj tyre, pa hezitim, të shqiptojë asgjë më pak se dënime maksimale.

Këtë ia kemi borxh vajzës së dhunuar, familjes së saj dhe të gjitha vajzave të reja të cilat sot ndihen të pasigurta në shtetin e tyre!