Analisti politik, Avni Arifi, ka thënë se gara e balotazhit ka qenë interesante, teksa AAK-në e sheh si fituesen më të madhe, pasi i ka fituar komunat që i ka pasur, edhe pse nuk është pritur pas debaklit të zgjedhjeve të shkurtit.
“Garë interesante, garë e qetë, fituesi më i madh mund ta konsiderojë Aleanca, pasi pas debaklit të shkurtit, shumë kanë pritur që do ta ketë të pamundur t’i fitojë sërish këto komuna të cilat i ka qeverisur, por i ka fituar për shkak të besimit, të punës së jashtëzakonshme të kryetarëve të saj, d.m.th., të vetmuar kanë arritur që ta fitojnë besimin e qytetarëve në të gjitha komunat”, ka thënë ai për Gazeta Blic.
Ai ka bërë analizë për rezultatin e të gjitha partive.
Sipas tij, VV pavarësisht se i ka fituar 7 komuna, është fitore modeste pasi ka bërë investim shtetëror.
“VV edhe pse ka rritje në 3 komuna por duhet ta konsiderojë veten të pakënaqur sepse investimi shtetëror që ka bërë, pra, 2 ditë përpara u ka dhënë nga 100 euro 40 mijë studentëve, premtimi i projekteve shtetërore në projekte partiake, se nëse e votoni VV-në do të ndërtojmë fabrikë të dronëve, mekanizmi i shtetit ju ka përkthy në një fitore modeste, fitore e Pirros, edhe Fushë Kosova, edhe Obiliqi, janë komuna ku kandidatët e saj janë përfolur se kanë punësuar njerëz me nepotizëm dhe abuzim me punësime, e në komunat e vogla njerëzit janë në zor për një vend pune dhe duket se kjo ka qenë elementi”, ka vlerësuar Arifi.
Sa i përket LDK-së, Arifi thotë se kjo parti duhet ta mendojë mirë pse e humbi Fushë Kosovën dhe Obiliqin.
“LDK duhet të mendojë pse e humbi Fushë Kosovën dhe Obiliqin, faktikisht fuqia e LDK-së në Prishtinë ka qenë pasi e ka pasur Podujevën, Obiliqin, Fushë Kosovën, bastione të fuqishëm dhe duhet ta mendojë se çka i ka ndodhur, pasi i ka mbetur vetëm Lipjani”.
Kurse, për PDK-në e sheh të panevojshme humbjen e Drenasit.
“PDK ka pasur një humbje të panevojshme që i ka kushtuar në nivel vendi në Drenas, që ka qenë veprim i çuditshëm dhe kjo u është kthyer në hakmarrje”, shtoi ai.
Por, sipas Arifit, fitues moral i zgjedhjeve është Arian Tahiri, i cili thotë se e kishte kundër tërë shtetin.
“Përndryshe, fitues moral i këtij procesi zgjedhor për mua është Arian Tahiri, kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, që edhe pse nuk ia doli të fitojë, ai ka demonstru një kulturë qytetare në përballje me një shtet. Atë nuk e ka mposhtur Faton Peci, e ka mund Albin Kurti, Faton Peci, krejt deputetët e LVV-së, ministrat, paret, xhipat e mesnatës, nga 8 xhipa duke shkuar natën rrugëve. I lumtë Arian Tahirit, është definitivisht fituesi moral i kësaj gare”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Sa i përket befasive, analisti thekson Obiliqin dhe Fushë Kosovën.
“Kam pritur që fiton Xhafa në Obiliq, kam menduar që Besniku mundet, edhe pse kishte dallim në Fushë Kosovë, kam pritur që qytetarët do ta shpërblejnë kompetencën dhe aftësitë e tij profesionale. Të tjerat kanë qenë të pritshme. Mitrovica, po të mos ishte shteti, Arian Tahiri do të fitonte bindshëm kundër Faton Pecit”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, garën në kryeqytet, Arifi e sheh si më të dobëtën ndonjëherë.
Ai thotë se nuk pati oferta të mira, por shpreson që kryetari Rama do ta zgjidhë çështjen e trafikut dhe pastërtisë në Prishtinë.
“Ka qenë gara më e dobët që e ka pasur kryeqyteti, uroj që kryeqyteti të mos ketë kurrë debat të tillë dhe oferta të tilla të pakëta, p.sh.: në qytete tjera kanë pasur oferta shumë më të mira. Në Ferizaj, edhe pse është ditur që Agimi do të fitojë, pasi ka bërë punë të jashtëzakonshme, partitë tjera kanë pasur oferta shumë të mira. Në Prishtinë, niveli i shikueshmërisë së debateve ka qenë i ulët për debatin Rama-Çeku, pasi humbi dhe interesimi. Rama diti ta shfrytëzojë bastionin e partisë së LDK-së, e pati hendikap punën e tij jo aq të mirë në katër vitet e kaluara dhe shpresoj që në këto 4 vite s’do të kemi të njëjtën qasje të tij ndaj trafikut urban, bërllogut e pastrimit të qytetit, përndryshe do ta kemi shumë të vështirë”, ka deklaruar Avni Arifi./Gazeta Blic/


