Drejtori i fondit sovran të pasurisë në Rusi, Kirill Dmitriev, tha të mërkurën se fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së hap mundësi të reja për rivendosjen e marrëdhënieve mes Moskës e Uashingtonit.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 2022 e nxiti ballafaqimin më të madh mes Moskës dhe Perëndimit që nga kriza kubane e raketave më 1962, kur Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara ishin afër një lufte bërthamore, raporton agjencia “Reuters”.
Diplomatët rusë dhe amerikanë thonë se marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë kanë qenë më të këqija vetëm gjatë Luftës së Ftohtë.
Dmitrievi, që është shef ekzekutiv i fondit sovran të pasurisë në Rusi dhe ka pasur kontakte me ekipin e Trumpit në të kaluarën, tha se tabori i republikanit i ka fituar presidencën dhe Senatin “pavarësisht nga një fushatë e madhe dezinformatash drejtuar kundër tyre”.
“Fitorja e tyre bindëse tregon që amerikanët e rëndomtë janë lodhur nga rrenat e pashembullta, jokompetenca dhe ligësia e administratës Biden” – tha ai.
“Kjo hap mundësi të reja për rivendosjen e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara” – shtoi Dmitrievi.
Trumpi e shpalli fitoren pasi televizioni “Fox News” parashikoi që ai e ka mposhtur demokraten Kamala Harris, edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar ende.