Sporti

Fiton medaljen artë në Serbi, Luiza Gega kualifikohet në Lojërat Olimpike Paris 2024

07/22/2023 16:10
nga:Mergim Rreci

Luiza Gega vazhdon sukseset dhe njëkohësisht vijon të bëjë krenar çdo shqiptar, teksa së fundmi është kualifikuar për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Ky lajm është konfirmuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili bën me dije përmes rrjeteve sociale se atletja shqiptare fitoi Medaljen e Artë në Kraljevo të Serbisë, ku u zhvillua Kampionati Ballkanik i Atletikës.

Luiza Gega theu rekordin në disiplinën 3000m/p, duke regjistruar kohën 9.21.53, ndërsa norma e kualifikimit është 9.23.00.

“Luiza Gega kualifikohet për në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Sot në Kraljevo të Serbisë po zhvillohet Kampionati Ballkanik i Atletikës me pjesëmarrjen e 20 shteteve.

Luiza Gega ka arritur të triumfojë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në disiplinën 3000 m/p me kohën 9.21.53.

Medalja e Artë dhe super koha e arritur pavarësisht se gara u zhvillua në mëngjes.

Koha e arritur prej saj është norma kualifikuese për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Atletika ka nisur kualifikimet nga 1 korriku 2023.

Norma e kualifikimit është 9.23.00.

Me këtë kohë, Luiza është kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe bëhet atletja e parë shqiptare që merr biletën kualifikuese për Paris 2024.”-shkruhet në postimin e KOKSH.