Shpërthimi i fishekzjarreve vrau dy burra në natën e Vitit të Ri, njëri në Gjermani dhe tjetri në Austri, njoftuan mediat lokale të shtunën.
Një burrë 37-vjeçar vdiq në Hennef pranë qytetit perëndimor të Bonit të Gjermanisë. Në të njëjtën ngjarje ka mbetur i plagosur rëndë një 39-vjeçar i cili është dërguar në spital.
Në Austri, një 23-vjeçar humbi jetën në jugperëndim të Vjenës dhe tre persona të tjerë u plagosën, shkruan Euronews.
Disa persona të tjerë u plagosën në fatkeqësi të tjera që përfshinin fishekzjarrë në qytetet gjermane të Leipzig dhe Hamburg, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve Dpa.
Shitja e fishekzjarreve për përdorim personal u ndalua në Gjermani këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Disa gjermanë blenë fishekzjarre ilegale ose ndërtuan të tyret, duke rritur rrezikun e aksidenteve.