Cult

Financial Times shkruan për Shqipërinë, tregon se cilat vende duhet vizituar me patjetër

03/22/2024 14:38
nga:N K

Media prestigjoze rekomandojnë disa qytete historike të Shqipërisë që duhen vizituar.

Listës së gjatë të mediave ndërkombëtare që tregojnë bukuritë e Shqipërisë, iu bashkua edhe “Financial Times”.

Gjigandi mediatik i ka kushtuar një reportazh të gjatë vendeve historike që u mundëson udhëtarëve të kthehen pas në kohë. Në udhëtimin e tij dhjetë ditor gazetari, Stanly Stewart viziton vendet antike si Butrinti dhe Apolonia.

Një qytet tjetër i rëndësishëm historik ku ai ndalet është edhe ai i Gjirokastrës të cilën shkrimtari Ismail Kadare e ka përshkruar si të çuditshëm dhe ëndërrimtar.

Sot, vetë shtëpia e tij është Muzeu Etnografik i Gjirokastrës. Modeli i shtëpisë së shkrimtarit i ngjason edhe të tjerave në qytetin e gurtë të cilat njihen për modelin e veçantë. Në qendër të arkitekturës së tyre është veçimi i grave të cilat mund të ndiqnin bisedat pa u parë nga mysafirët.

Mbi çatitë e shtëpive të Gjirokastrës ndodhet kështjella, një atraksion i rëndësishëm i qytetit. Rreth 72 kilometra në veri të Gjirokastrës ndodhet Berati, një tjetër qytet i epokës osmane, por historia e të cilit shtrihej 2400 vjet më parë, madje edhe përtej ilirëve. Shtëpitë që ngrihen në faqet e pjerrëta të kodrave që duket se qëndrojnë mbi supet e njëra-tjetrës i japin qytetit një pamje të veçantë.

Në këtë qytet ndodhet Kisha e Shën Mërisë, me pikturat e Onufrit, një nga piktorët e mëdhenj të ikonave të shekullit të 16-të. Tiranën e përshkruan si një qytet simpatik. Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që dëshmojnë tmerret e periudhës komuniste. /tvklan