Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata për pjesën e parë të fazës finale të projektit për shtratin e lumit Krena, një ndër investimet më të mëdha infrastrukturore të realizuara ndonjëherë nga një qeverisje lokale në Kosovë.
“Sot nënshkruam kontratën për pjesën e parë të fazës finale të këtij projekti madhor, që do t’i japë Gjakovës një bosht të ri zhvillimi dhe një pamje bashkëkohore”, shkroi Gjini në një postim në rrjetet sociale.
Kontrata e nënshkruar përfshin ndërtimin e segmentit nga Ura e Taliqit deri afër Spitalit të Gjakovës. Ashtu si në fazat e mëparshme, edhe ky segment do të transformohet në një hapësirë urbane funksionale, përfshirë ndërtimin e kolektorëve të rinj, trotuareve moderne, ndriçimit publik dhe urave për këmbësorë.
Në fazën përmbyllëse, projekti do të lidhet edhe me lumin Erenik, duke krijuar një sistem të integruar që jo vetëm përmirëson infrastrukturën urbane, por i jep qytetit një identitet të ri estetik dhe funksional.
“Një nga projektet më ambicioze të realizuara ndonjëherë nga një qeverisje lokale, një aset i qëndrueshëm që do ta gëzojnë gjenerata të tëra”, përfundon Gjini.


