Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisëka përmbyllur me sukses dorëzimin e dokumentacionit civil (certifikata të lindjes dhe certifikata të gjendjes penale) për grupin prej 36 rasteve të mbetura – qytetarë të Kosovës – të zhvendosur nga periudha e luftës së vitit 1999, e të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky proces ka përfshirë pajisjen e 36 qytetarëve të tjerë, duke çuar në total në 58 persona që janë pajisur me dokumente civile dhe certifikata të gjendjes penale, ku tashmë autoritetet e Maqedonisë së Veriut, do t’i pranojnë në mënyrë që t’i pajisin ata me dokumentacionin e nevojshëm për qëndrim në shtetin fqinj.
“Zëvendësministri Qorrolli, në fjalën e tij, tha se ky proces ka kaluar me sukses falë koordinimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar. Tutje Qorrolli falënderoi të gjithë akterët për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë realizimit të këtij procesi të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës në Maqedoninë e Veriut”.
“Në këtë ngjarje i pranishëm ishte konsulli nga Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Xhevat Podvorica, drejtori i Zyrës Qendrore e Evidencës Penale nga KGJK, Blerim Batatina, u.d drejtori i Drejtoratit të Gjendjes Civile, Ahmet Jashari, drejtoresha e Misionit të OSBE-së në Departamentin e të Drejtave të Njeriut dhe Komuniteteve, Kavya Rajan, si dhe përfaqësuesja nga UNHCR, znj. Merita Ahma”, thuhet në njoftim.