Sporti

‘Final 4’ në kampionatin shqiptar, Duro: Është një eksperiment i veçantë, do të rrisë konkurrencën dhe numrin e tifozëve në stadiume

07/18/2023 20:31
nga:Mergim Rreci

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar vendimin për ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke nisur që nga ky sezon 2023-2024.

Sipas skemës së re, kampionati “Abissnet Superiore 2023-2024” do të ketë katër faza dhe në përfundim të javës së 36-të ekipet e renditura në 4 vendet e para do të përballen në një fazë play-off.

Kjo fazë do të quhet “Final 4” dhe ekipi fitues do të shpallet skuadra që grumbullon më shumë pikë në këto tre ndeshje. Të katër ekipet e nisin “Final 4” me 0 pikё, ndërsa ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Gazetari i njohur nga Shqipëria, Egi Duro e ka mirëpritur këtë vendim nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, atje ku për ‘GazetaBlic Sport’ tha se është një eksperiment i veçantë, i cili do të ndikojë pozitivisht.

“Kjo gjë është shumë pozitive, sepse ideja e ‘Final 4’ është diçka e veçantë, e cila do të rrisë konkurrencën dhe do të rrisë numrin e tifozëve në stadiume. Është një eksperiment i veçantë”, tha Duro.

Kujtojmë se ekipi fitues i play-off “Final 4” do të shpallet kampion i “Abissnet Superiore” dhe do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa 2 ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në UEFA Conference League.

Në rastet kur ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë është i renditur në 3 vendet e para të play-off “Final 4”, e drejta për të marrë pjesë në UEFA Conference League do t’i takojë vendit të 4-t të renditur në play-off “Final 4”.

/GazetaBlic Sport/