Cult

Filozofi polarizues francez zgjedh zonat e luftës e jo sallat e pritjes

03/04/2023 14:58
nga:Gazeta Blic

Në filmin e tij të ri dokumentar “Slava Ukraini” [Lavdi Ukrainës], intelektuali më i famshëm publik i Francës, Bernard-Henri Lévy, shmang zjarrin e snajperit rus në Ukrainë duke mbajtur veshur – si noshalant – jelekun antiplumb ngjyrë kaki mbi kostumin elegant të bërë me porosi.

Me flokët e thinjura që fryhen butësisht nga era, në Odesë ngjitet në anijen e marinës ukrainase që pastronte Detin e Zi nga minat ruse. Dhe, vëzhgoi blloqet e apartamenteve të shkatërruara në Kiev, zbriti në hendekë me ushtarët ukrainas në Sloviansk dhe e ngushëlloi nënën – djali i vogël i së cilës është aq i traumatizuar nga lufta saqë ka pushuar së foluri.

Mund të jetë e lehtë mos ta vëresh Lévy-in – dhe shumë këtë e bëjnë – si një turist të pakujdesshëm 74-vjeçar të luftës, si trashëgimtar të një pasurie të lëndëve të drurit duke e luajtur heroin e aksionit në kohën kur raketat ruse bien mbi Kiev, Harkiv dhe Mariupol. Por, në vend që t’i kalonte 12 muajt e fundit në shtëpinë e tij të mbushur me art – në bregun e djathtë të Parisit – ose ta shijonte pensionin në pallatin e tij të shekullit XVIII në Marakesh, Lévy ka qenë i guximshëm ndaj sulmeve ushtarake ruse, ndaj vorbullës dhe asaj që e quan prirje të tij të natyrshme për melankolinë për ta bërë filmin e tij në Ukrainë.

Ishte, tha ai, protestë [cri de coeur] e domosdoshme për ta mbështetur Ukrainën në konfliktin që ai e sheh si asgjë më pak sesa një betejë për të ardhmen e Evropës, për liberalizmin global dhe për qytetërimin perëndimor.

“Në Ukrainë për herë të parë pata ndjesinë se mund të shembet bota që unë e njihja, bota në të cilën u rrita, bota që dua t’ua lë fëmijëve dhe nipërve të mi”, tha ai gjatë një interviste në Hotelin “Carlyle” të Nju-Jorkut, në fillim të këtij muaji, ku e piperoste theksin e vet – porse të anglishtes së rrjedhshme – me aludime për Clausewitz-in, Hegel-in dhe letërsinë vjeneze.

Filozof, shkrimtar, personalitet televiziv dhe regjisor, Lévy është shpikje kryesisht franceze, e një vendi që çmon intelektualët publikë po si yjet e popit. Është i kudondodhur në Francë saqë njihet thjesht si B.H.L., me inicialet e ngjashme të një marke luksoze franceze. Por, është gjithashtu personazh thellësisht polarizues, i tallur nga disa kritikë si filozof diletant ose i frazave përmbledhëse.

Por, Lévy duket i përmbajtur nga kritikat, duke e parë punën e tij si një thirrje më të lartë.

“Thirrja morale nuk hesht kurrë për mua”, tha Lévy. “Në ndonjë moment mendoj se nuk do të kem më forcë t’i përgjigjem kësaj thirrjeje”.

“Slava Ukraini” – “Lavdi Ukrainës” – u dha premierë në Francë më 22 shkurt dhe në muajt e ardhshëm pritet të dalë në Shtetet e Bashkuara. Është xhiruar gjatë vitit të kaluar, gjatë më shumë se 10 udhëtimeve që Lévy bëri në Ukrainë. Filmi (i dyti i Lévy-it për konfliktin atje) ka marrë lëvdata për portretizimin e tij – pa hezitim – të tmerreve të luftës. “Pa dyshim, Lévy kurrë nuk ka filmuar dhe nuk e ka bartur shqetësimin dhe vdekjen me kaq ashpërsi dhe me kaq vrazhdësi të papërkulshme”, vuri në dukje “L’Express”, një revistë franceze me ndikim.

Lévy i ka kaluar pesë dekadat e fundit duke iu lutur Perëndimit që të ndërhyjë në konfliktet në dukje të pazgjidhshme, duke u futur në fushat e betejës në vendet si Bosnja, Darfuri, Ruanda, Kurdistani, Afganistani dhe Libia.

Këtë herë, megjithatë, ai tha se aksionet ishin shumë më të rënda. Ai paralajmëron se nëse nuk ndalet presidenti i Rusisë, Vladimir V. Putin, do të ketë Luftë të re të Ftohtë, me Moskën, Teheranin, Kinën, Turqinë dhe fundamentalistët islamikë që e kërcënojnë botën dhe me despotët e fuqizuar bërthamorë që shantazhojnë Perëndimin.

Ata në Kongresin e ShBA-së dhe në kryeqytetet evropiane që u ankuan se armatosja e Ukrainës ishte gjë shumë e shtrenjtë, tha ai, ishin thjeshtë “të marrë”.

Dhe, pse vesh kostume të porositura në një zonë lufte? “Veshja nuk është e rëndësishme, por është një nga shenjat e vogla të respektit”, për popullin e Ukrainës, shpjegon Lévy.

I lindur në Algjerinë franceze në vitin 1948, në një familje hebraike sefardike, Lévy në vitet 1970 shpërtheu në skenën kombëtare në Francë, si filozof i ri me flokë të gjata që bënte me dije për rreziqet e marksizmit në të majtën franceze. Ka shkruar dhjetëra libra duke mbuluar politikën, filozofinë, judaizmin dhe identitetin amerikan. E bashkëthemeloi një grup me ndikim kundër racizmit dhe u bë figurë e dashur mediatik të cilin e dëgjonin presidentët francezë.

Megjithatë, vazhdon të tërheqë përbuzjet. Është qortuar për mbështetjen e tij të hapur ndaj Roman Polanski-t dhe Dominique Strauss-Kahn-it, që të dy këta të akuzuar për abuzim seksual të grave. I është zënë të paktën tetë herë prita nga një hedhës belg i piteve që në shënjestër ka personazhet pompoze, dhe është subjekt i jo më pak se katër biografive që me raste janë përbuzëse. Atij shpeshherë i atribuohet aforizmi: “Zoti ka vdekur, por flokët e mia janë të përsosura”.

“Nuk e kam thënë kurrë, është rrenë”, tha ai. “Jam i gatshëm ta shoh si diçka qesharake.”

Disa kritikë kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje rigorozitetin e tij metodologjik. Në librin e tij të vitit 2010, “Për luftën në filozofi”, Lévy gjerësisht citon Jean-Baptiste Botul-in, një filozof të shekullit XX dhe krijues i shkollës së mendimit të njohur si Botulizëm. Por, Botul-i nuk ka ekzistuar kurrë dhe është shpikje satirike e shkrimtarit Frédéric Pagès. Lévy, në atë kohë, ishte i penduar dhe e lavdëroi mashtruesin për këtë mashtrim.

Jade Lindgaard, gazetare franceze dhe bashkëautore e librit “Mashtruesi: BHL në vendin e çudirave”, që është një analizë kritike ndaj Lévy-it dhe punës së tij, ka pohuar se është zbehur ndikimi i Lévy-it, pjesërisht për shkak se ishte jashtë kontaktit me çështjet bashkëkohore, si ndryshimet klimatike dhe lëvizja #MeToo.

“Për mua, ai e ka humbur besueshmërinë, ndoshta për shkak të të gjitha gabimeve që ka bërë në shkrimet e veta”, shkroi ajo në një email, duke shtuar se stili i tij personal e ka minuar vetë atë.

Por, mbrojtësit e tij i përshkruajnë sulmet si diçka që ka të bëjë me xhelozinë për pasurinë, fuqinë dhe suksesin e tij. (Është i martuar me aktoren dhe këngëtaren Arielle Dombasle.) Ai është, thonë ata, njeriu që synon t’i japë formë historisë, jo thjesht ta shkruajë atë.

“Këta njerëz që e kritikojnë janë intelektualë të kolltukëve që nuk largohen kurrë nga sallonet e tyre parisiane”, tha Marc Roussel, bashkëregjisor i “Slava Ukraini”.

Lévy tha se momenti i tij i parë edukues – që e frymëzoi të linte pas klithmat bosh të bankave të studimit – erdhi në fillim të të 20-tave kur ia vuri veshin thirrjes së romancierit francez André Malraux, për të ndihmuar separatistët nga Bangladeshi që luftonin kundër Pakistanit. Në vitin 1971, udhëtoi për në Bangladesh në sulmin e tij të parë si korrespondent lufte.

“Në atë moment, vendosa të tentoj të bëj diçka që do të ndodhë, t’i përlyej duart e mia në historinë reale”, tha ai.

Në vitin 1977, Lévy shkroi “Barbarizmi me fytyrë njerëzore”, në të cilin hodhi poshtë marksizmin dhe maoizmin. Në vend të kësaj, ai tha se ka filluar ta përqafojë si filozofi udhërrëfyese nocionin “tikkun olam” – idenë se hebrenjtë e kanë përgjegjësinë për ta “riparuar botën” përmes veprave të mira.

Lévy tha se yll orientues kishte babanë e vet, André Lévy, një njeri që e ndërtoi suksesin e vet e që nga Algjeria kishte ikur nga varfëria – si adoleshent në vitet 1930 – dhe që ishte vullnetar për t’i luftuar republikanët në Spanjë, kundër Frankos, përpara se të bashkohej me ushtrinë e Francës së Lirë dhe të luftonte kundër nazistëve.

Kur u përball me perspektivën e snajperëve serbë të Bosnjës, në Sarajevë, me luftëtarët e ISIS-it në shpellat e Kurdistanit ose me zjarrin e mortajave ruse në Ukrainë, Lévy tha se shpeshherë mendonte për trimërinë morale dhe guximin fizik të babait të vet.

“Për të pasur kurajo, mendoj për babanë tim duke u ngjitur në Monte Kasino me një grup luftëtarësh marokenë dhe duke e pushtuar majën”, tha ai, duke iu referuar një beteje të përgjakshme të Italisë më 1944, që ndihmoi aleatët që ta thyejnë mbrojtjen gjermane.

Lévy tha se besimi i tij në fuqinë e individëve, për ta zgjuar botën, u forcua gjatë luftës në Bosnje në vitet 1990, kur ai shkoi në Sarajevë. Fillimisht kishte dashur të organizonte një brigadë ndërkombëtare për të ndihmuar forcat boshnjake myslimane që luftonin kundër serbëve, por vendosi se do të ishte gjë më efektive që ta bënte një film. Babai, i cili iu lut që të mos shkonte në Bosnje, në fund e financoi realizimin e filmit që ndihmoi të hidhej dritë mbi mizoritë serbe kundër myslimanëve.

“Bosnja ma bëri me dije se idetë kanë rëndësi, se fjalët mund ta bëjnë ndryshimin, se vendimmarrësit mund të binden dhe se individët mund të jenë një kokërr rëre që bllokon makinerinë”, tha Lévy.

Në vitin 2011, në një periudhë afërsisht dyjavore, Lévy luajti rol vendimtar për ta nxitur presidentin Nicolas Sarkozy që të ndërhyjë në Libi, duke ndihmuar në hapjen e rrugës për Francën, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në mbështetjen e një grupi të ri opozitar, si dhe për ta zhvilluar luftën që ndihmoi në rrëzimin e liderit libian – të kolonelit Muammar el-Gaddafi.

Lévy tha se ndërhyrja në Libi ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”. Por, disa kritikë të kësaj lëvizjeje theksojnë se Libia që atëherë është kthyer në kaos.

Derisa Lévy është i lidhur ngushtë me Francën, ai tha se dy modelet e tij kryesore ishin Ernest Hemingway, njeriu fizikisht imponues dhe i aksionit që mbuloi Luftën Civile të Spanjës, si dhe F. Scott Fitzgerald, mbreti – i dhënë pas alkoolit – i Epokës së Xhazit të Parisit të viteve 1920.

“Më pëlqen të mendoj me këmbët e mia, me duart e mia, me mushkëritë e mia, me mishin tim”, tha ai./ Telegrafi