Për shkak të përbërjes së re të trupit gjykues, ka filluar rishtazi gjykimi ndaj ish-zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, i cili akuzohet për mashtrim.
Një gjë të tillë, e konstatoi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, i cili bëri të ditur se tani e tutje anëtar i ri trupit gjykues, do të jetë gjykatësi Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Bajrami u deklaruar sërish i pafajshëm për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Në fjalën hyrëse, prokurorja Dulina Hamiti tha se edhe gjatë këtij rigjykimi me administrimin e sërishëm të provave dhe dëshmive dhe me dëgjimin e të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Bajrami për veprën penale “Mashtrimi”.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Ahmet Ahmeti deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më 12 maj 2022.
I njëjti shtoi se sa i përket dispozitivit të aktakuzës të cilën e ka formuluar prokurorja më 12 maj 2022, e njëjta nuk ka një konstrukt dhe sipas tij është në kundërshtim me vetveten.
Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit Elsadat Musliji, i cili u dëgjua në cilësi të dëshmitarit.
Musliji deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë në polici, prokurori dhe në shqyrtim gjyqësor lidhur me ketë rast.
Ai tha se të akuzuarin Bajrami e njeh që një kohë të gjatë dhe me të ishte takuar në lokalin e të akuzuarit “Xili Com” dhe arsyeja e takimit sipas tij ishte shlyerja e një dënimi.
I dëmtuari Musliji deklaroi se fillimisht kishte shkuar në lokalin “Xili Com” për të blerë qeramikë, ku ishte takuar me djalin e të akuzuarit Bajrami, Adrian Bajrami, të cilit i kishte treguar për rastin e tij.
“Kam shku me ble pllaka-qeramikë dhe ai më pyeti ku je qe sa kohë s’të kam pa?, dhe unë i tregova pak rastin se kam qenë pak në paraburgim dhe kam marrë një dënim prej 3 viteve për shkak te veprës penale kontrabandim me migrantë, kur e diskutuam me Adrianin ai m’tha sikur ta kisha ditur s’kishe nejt asnjë ditë në paraburgim”, deklaroi Musliji.
I njëjti shtoi se kur ishte takuar me Adrianin, kishte qenë prezent edhe i akuzuari Zahir.
“Edhe unë kisha frikë se do të më prisheshin letrat e Zvicrës, a ka ndonjë mundësi me shly dënimin, ai m’tha po bisedoj me babin (Zahir Bajramin) edhe do të tregoj. Pastaj, ka qenë ditë e premte nëse nuk gaboj, më ka thirrë prapë Adriani, dhe prezent ka qenë edhe Zahir Bajrami në lokalin e tyre, “Xili Com”, ka thënë tutje i njëjti.
Ai theksoi se pastaj Zahiri i kishte thënë se çmimi i shlyerjes së dënimit me burg prej 3 viteve është 10 mijë euro, të cilat para ai tha se ia kishte dorëzuar djalit të të akuzuarit, Adrianit ,në restorantin “Evropa 92” në Ferizaj.
I njëjti deklaroi se pastaj i kishte ardhur thirrja për në Gjykatën e Qarkut, por sipas tij i akuzuari dhe djali i tij nuk dinin asgjë. Por, pas seancës ai tha se ishte takuar me Zahirin në Ferizaj, ku ky i fundit i kishte thënë “këto punë shkojnë kështu, e kam ditur por nuk kam folë”.
“Përveç të tjerave më ka thënë se mos të kishin qenë ata rroqkodellat e mi do t’i merrje prej 3-5 vite burgim” ka thënë Musliji.
Më pas, ai tha se takimet kishin vazhduar me djalin e tij Ardianin, por sipas tij, gjithmonë në koordinim më të akuzuarin Zahir Bajrami.
“Zahiri m’ka thënë mos shkruaj me mua e as mos më thirr, për arsye se jam person zyrtar dhe munden me m’u përcjell telefonatat, dhe pastaj me Zahirin nuk jam takuar më, por vetëm me djalin e tij Adrianin”, vazhdoi më tej i dëmtuari.
Po ashtu, i dëmtuari tha se kishte vendosur që t’i thotë Adrianit se rigjykimi për këtë çështje ka filluar dhe Adriani i kishte thënë se do të më lajmërojë, pasi që të komunikonte me babën e tij Zahirin.
“Pastaj më lajmëroi m’tha se gjithçka është në rregull vetëm shko ti në gjykim se ka me tu hek dënimi dhe ki mu dënu me kusht”, tha i dëmtuari.
Kur kishte ardhur koha që gjykata të merrte vendimin i dëmtuari Musliju, tha se i kishte treguar Adrianit se nga 3 vite burgim ishte dënuar me 2 vite.
“I thash që sot e kemi seancën e fundit që ka m’u marrë vendimi, ai thotë shko pa problem se kam bisedu me babën dhe gjithçka është në rregull, dhe unë pasdite e thirra (këtë e kam bërë vetëm me pa a kanë qasje dikun), dhe i thash se është marrë një vendim nga 3 vite dënim në 2 vite, dhe ai thotë bisedoj unë prapë me babën dhe shihemi nesër, jemi taku pastaj në restorantin Kruja e Kalajës, në Dardani dhe ia shpjegoj se dënimi prej 3 viteve është bërë me 2 vite, dhe ai më thotë se ka diskutuar me babën dhe thotë se “ata të mëdhenjtë nuk janë dakord me 10 mijë euro” dhe për këtë arsye vetëm një vit është hequr”, ka deklaruar i dëmtuari.
I pyetur se sipas tij kush ishin “të mëdhenjtë”, ai tha se i akuzuari Bajrami ka përmendur emrin e Enver Hasanit, ndërsa Adriani e ka përmend emrin e Nait Hasanit.
“Zotri Bajrami e ka përmend emrin e Enver Hasanit, ndërsa djali i tij Adriani e ka përmend emrin e Nait Hasanit, për të cilin e ka cek se e ka baxhanak (i kanë gratë motra), dhe thotë se duhet me i dhënë edhe 10 mijë euro të tjera, unë aty u dorëzova dhe ia kërkova të hollat 10 mijë euro të cilat ia kisha dhënë me herët Adrianit, sepse i thash s’kemi pas as seancë, as gjykim, dhe se këtu po shihet se nuk ka asgjë prej kësaj pune”, ka vazhduar Musliji.
Emrin e Enver Hasanit i dëmtuari tha se Zahiri e ka përmend në takimin tek marketi “Eli-Ab”, ku edhe kjo bisedë sipas tij është edhe e incizuar.
Sipas tij, Adriani i kishte thënë që 10 mijë euro nuk i kthehen dhe se nuk guxon ta lajmërojë rastin askund, po ashtu ai tha se Adriani e kishte cekur një fjali “se prej Merdares deri tek Dheu i Bardhë është i joni, se shtet jemi dhe s’mund na bon kurrgjë” .
Më pas, i njëjti deklaroi se i kishte thënë Adrianit t’i harrojnë keqkuptimet që i kanë pasur më herët dhe se pranon t’ia japë edhe 10 mijë euro tjera vetëm për ta kryer punën.
“Pastaj e pash që nuk ka kurrgjë këtu dhe kam diskutu prapë me Ardianin, thash do t’i harrojmë çka kemi pas keqkuptimet të cilat i kemi pasur me herët, po pranoj edhe 10 mijë euro veç me kry punën, si gjithmonë ju ka dashtë një ditë prapë me pyet babën e vet edhe më thërret të nesërmen edhe me thotë “okej e vazhdojmë”, deklaroi i dëmtuari.
E që atëherë, ai tha se kishte shkuar në polici dhe e kishte lajmëruar rastin dhe sipas tij në koordinim me policinë e kishin caktuar një datë për t’u takuar me Adrianin dhe me ia dhënë 10 mijë euro në prezencë të policisë.
“Erdhi koha me u taku me Adrianin tek restoranti “Gizzi Grill” në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, aty kanë qenë 10 mijë euro para të policisë, dhe ia kom dorëzu Adrianit, i ka marrë dhe i ka fut ne xhep dhe aty ka përfunduar gjithçka pasi që policia e ka arrestuar Adrianin”, tha i njëjti.
I pyetur nga avokati Ahmeti se prej vitit 2012-2017, pse nuk e ka paraqitur rastin më herët, i dëmtuari deklaroi se nuk ka qenë qëllimi i tij me paraqit rastin, pasi që kishte pritur me shpresë se kryhet ajo procedurë.
Shuma e parave prej 10 mijë euro të dhëna herën e parë, i dëmtuari tha se nuk i janë kthyer më.
I njëjti deklaroi se e ndien veten të dëmtuar në këtë rast.
Lidhur me dëshminë e të dëmtuarit, vërejtje pati avokati Ahmeti dhe i akuzuari Zahir Bajrami.
Avokati Ahmeti propozoi që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Adrian Bajrami, me arsyetimin për të treguar datën e saktë se kur i ka marrë paratë, të cilin propozim e aprovoi gjykatësi Kuçi.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 8 nëntor 2022.
Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për herën e tretë rastin ndaj të akuzuarit Zahir Bajrami, për shkak se ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave ligjore.
Ndërsa, më 21 gusht 2019, prokurorja Dulina Hamiti kishte bërë precizimin e dispozitivit të aktakuzës për të akuzuarin Zahir Bajrami, për të cilin kishte thënë se do të bëjë korrigjim në rreshtin e parë ku thuhet se “I pandehuri Bajrami me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe djalin e tij sa ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrisë së Kosovës, kishte mashtruar të dëmtuarin” dhe sipas prokurores pas kësaj vazhdon dispozitivi me fjalët prej vitit 2012, disa herë ishin takuar me të dëmtuarin Musliji.
Lidhur me këtë rast, i akuzuari Zahir Bajrami, në tetor 2017, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” dhe ai ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.
Ndërsa, djali i tij, Adrian Bajrami, për veprën penale “Mashtrim”, ishte dënuar me një vit burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryente vepër tjetër penale brenda periudhës prej dy vitesh.
Ky rast ishte kthyer në rigjykim, në mars të vitit 2018, për shkak se sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dispozitivi i aktgjykimit ishte kundërthënës me arsyetimin e aktgjykimit dhe me përmbajtjen e shkresave të lëndës dhe se sipas kësaj gjykate, nuk ishin paraqitur arsyet mbi faktet vendimtare.
Por, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 16 tetor 2018, prokurori që kishte në përfaqësim këtë lëndë, Kujtim Munishi, në fjalën përfundimtare, për të akuzuarin Zahir Bajrami kishte bërë rikualifikimin juridik nga vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në atë të “Mashtrimit”.
Sipas prokurorit Munishi, ishte vërtetuar se i akuzuari Zahir Bajrami nuk kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe se vepra penale për të cilën ai akuzohet nuk kishte të bëjë me veprën penale të keqpërdorimit.
Më pas, 24 tetor 2018, Zahir Bajrami ishte shpallur sërish fajtor, duke u dënuar me një vit burgim efektiv si dhe 5000 euro gjobë, derisa Adrian Bajrami, ishte dënuar me një vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai brenda dy vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Krahas dënimit me kusht, Adrian Bajrami ishte dënuar edhe me pesë mijë euro gjobë.
Por, sërish në mars të vitit 2019, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, pasi që kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes.
Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami, derisa ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrisë së Kosovës, që nga viti 2012 disa herë ishte takuar me të dëmtuarin Elsadat Musliji, të cilit i kishte premtuar se përmes pozitës së tij, do të ndikojë në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit prej tre vitesh burgim.
Sipas prokurorisë, Zahir Bajrami, më 9 shkurt 2017, përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, të dëmtuarit Musliji, ia kishte marrë nga 10 mijë euro, duke i shkaktuar dëm, ndërsa për vete kishte përfituar pasuri të kundërligjshme.
Në aktin akuzues thuhet se Adrian Bajrami, fillimisht i kishte marrë të dëmtuarit 10 mijë euro, ndërsa pastaj ia kishte kërkuar edhe 10 mijë të tjera.
Më pas, në aktakuzë thuhet se Elsadat Musliji, e kishte paraqitur rastin në polici, me ç’rast më 9 shkurt 2017, stimulohet rasti nga ana e pjesëtarëve të policisë, ku i pandehuri Adrian ia kishte marrë 10 mijë euro me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Pas këtij rasti, Zahir dhe Adrian Bajrami ishin arrestuar menjëherë nga policia, e ku më pas Zahir Bajrami ishte suspenduar nga detyra që mbante në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.


