Lajme

Fillon mbledhja e Qeverisë, pritet votimi i masave të reja

09/24/2021 15:08
nga:M K

Qeveria e Kosovës ka filluar mbledhjen e radhës, gjatë të cilës pritet të merret vendimi për lehtësimin e masave antiCOVID.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia një ditë më parë bëri të ditur se nga e hëna, më 27 shtator do të hyjnë në fuqi masat e reja lehtësuese kundër COVID-19.

Vitia tha se masat pritet të miratohen të premten në mbledhjen e Qeverisë.

“IKSHPK konstaton se situata epidemiologjike me COVID-19 aktualisht shënon rënie të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve por megjithatë është akoma jo stabile, duke pasur parasysh se varianti Delta është dominues në qarkullim në Kosovë. IKSHPK përkundër situatës rekomandon vigjilencë dhe vazhdimin e disa masave në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, deklaroi ministri.

Megjithatë, Vitia tha se duke pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar, atëherë një pjesë e masave do të jenë në ketë drejtim:

– Institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë: Qendrat tregtare; Call center; Gastronomia në ambientet e brendshme; Dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.

– Shkollat dhe çerdhet do të hapen nga dita e hënë, 27 shtator (maksimumi i nxënësve do të jetë 20)

– Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve në ambientet e brendshme, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Kurse, në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani në një konferencë bashkë me ministrin Vitia ka thënë ka rënie të numrit të rasteve të reja për 75% në dy javët e fundit.

“Kemi rënie të rasteve për 75%, megjithatë duhet të kemi parasysh se situate është ende jostabile, pasi trendi rasteve të vdekjeve është akoma brengosës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ramadani ka thënë se trendi i vdekjeve është ulur në 38.64% për këtë periudhë kohore.

“Vdekjet janë akoma shqetësues dhe duhet të kemi kujdes me hospitalizimin e hershëm të pacientëve për të ulur këtë trend”.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë thotë se për një muaj janë bërë 4500 teste të rastësishme me nxënës e arsimtarë nëpër shkolla.

“Të infektuar kanë rezultuar vetëm 2.5% e këtyre mostrave që është përqindje e vogël pavarësisht se “Delta” ka prekur më shumë moshat e reja”, tha ndër të tjera Ramadani.