Në kuadër të zbatimit të strategjisë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike “Krime Kongo”, në komunën e Malishevës ka filluar dezinsektimi i zonave endemike kundër rriqrave, si bartës të këtij virusit. Me qëllim të marrjes së masave parandaluese nga ethet hemorragjike, në Komunën e Malishevës ka filluar dezinsektimi i zonave endemike kundër rriqrave.
Për parandalimin e rasteve, komuna ka filluar dezinsektimin e zonave endemike. “Ne kemi filluar me dezinsektimin në 39 zona endemike, ku do të dezinsektohen rreth 250 mijë hektarë. Por në Komunën e Malishevës janë mbi 36 mijë hektarë dhe konsideroj së kjo është e pamjaftueshme”, tha Halit Mazreku, menaxher për emergjenca në Komunën e Malishevës.
Kjo komunë apelon edhe tek organet e tjera përgjegjëse që të marrin masat e nevojshme për luftimin e etheve hemorragjike ‘Krime Kongo’. E rastet në këtë komunë nga pickimi i rriqrave, janë paraqitur qysh me rritjen e temperaturave. Që nga fillimi i këtij viti në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Shpëtim Robaj’ në Malishevë, janë evidentuar afër 400 raste të pickimit nga rriqrat.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thonë se po e përcjellin në mënyrë permanente situatën epidemiologjike në vend lidhur me ethet hemorragjike ‘Krime Kongo’. IKSHPK i këshillon qytetarët që të mos qëndrojnë në vende me shkurre, kurse në rast pickimi nga ndonjë rriqër, të shkojnë sa më parë në qendrën për ndihmë mjekësore.