Lajme

“Fillimisht kam punuar si zjarrfikës”/ Rrëfimi i Bashkim Ramosajt se si erdhi në krye të Komunës së Deçanit

09/22/2025 18:58
nga:G B

Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit për dy mandate, synon mandatin e tretë në krye të kësaj komune.

Por, pse duhet ta votojnë sërish qytetarët e këtij qyteti?

Ramosaj në një intervistë për Gazeta Blic ka thënë se e njohin të gjithë, është lindur e rritur në atë qytet, atë që bashkë me një brez të tërë e kanë ëndërruar të tillë.

Ai thotë se ka parime që nuk i thyen dhe njihet që punon fort, nuk ka rëndësi a është vikend apo festë.

“E para, se më njohin. E dyta, jam lind e rrit në këtë qytet. Kjo nuk është problem që jam lind e rrit këtu, mund të jetosh edhe diku tjetër dhe të jesh qytetar i kësaj komune, ke të drejtë të konkurrosh, por atë që duam të them, fëmijët e mi jetojnë në këtë komunë, marrin shërbime shëndetësore publike, e përjetojnë këtë qytet dhe unë dhe familja ime jetojmë në këtë qytet dhe është një brez i tërë që kemi ëndërruar të kemi një qytet të tillë, që bashkërisht…unë s’kam bërë diçka të veçantë, e kam bërë atë që qytetarët e kanë kërkuar prej meje deri tash dhe besoj se jam përkushtuar shumë në punë dhe besoj se i kam disa virtyte që mi ka jep kjo zonë, që janë parime që nuk i thej, njihem që kur hy të punoj, punoj fort, për mua s’ka pasur rëndësi a është e shtunë apo diel, apo ditë feste, kam qenë në shërbim dhe funksion të qytetarëve të këtij vendi”, është shprehur Ramosaj.

Por, ai punën e kishte nisur si zjarrfikës, më pas si drejtor i administratës dhe ka themeluar disa gjëra të rëndësishme në këtë qytet.

“Kur kam hyrë për herë të parë në punë si nëpunës i kësaj komune kam hyrë si zjarrfikës. Jam një prej themeluesve të stacionit të zjarrfikësve, për shkak të një fatkeqësie të ndodhur në fund të vitit 2004, mandej kam punuar si drejtor i administratës dhe kam pasur një afërsi tepër të madhe me qytetarët dhe shërbimet që ua kemi ofruar qytetarëve të kësaj komune, kam qenë pjesë e asamblesë komunale dhe jam themelues i 4-5 gjërave të rëndësishme në këtë qytet, duke e përfshirë edhe ‘Higjienën’, edhe Ansamblin, edhe koloninë e artistëve, edhe qendrën rinore, edhe fshatin Pleqaj, dhe një mori aktivitetesh që në thelb e kanë themelimin, e kanë idenë për të filluar konceptualisht dhe janë të dizajnuara nga unë, nga ekipi im, nga brezi jonë që po duam të mburremi gjithmonë me këtë qytet dhe po duam ta shpërfaqim potencialin që ky qytet e ka. Besoj se duhet pasur disa cilësi për të qenë kryetar, duhesh të jesh korrekt, atë që e thua edhe ta mbash, atë që s’mund ta bësh ndërkohë duhet të dish edhe të kërkosh falje dhe të argumentosh pse s’ke mundur ta bësh”, ka deklaruar Bashkim Ramosaj./Gazeta Blic/