Lajme

Fiks para një jave e kishte deklaruar ‘Remi’: Përveç Jakup Krasniqit e Ramë Bujës, anëtarët e SHP të UÇK-së qëndronin jashtë vendit

07/25/2023 23:10
nga:Genita C

Një javë më parë, komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa u paraqit para Hagës për të vazhduar dëshminë e tij, raporton GazetaBlic.

I pyetur nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, se a ishte në dijeni aso kohe që disa nga anëtarë të shtabit të përgjithshëm përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999, Mustafa kishte një përgjigje të prerë.

“Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantët e zonave. Të gjithë qëndronin jashtë vendit”, tha Mustafa.

Përgjigja e plotë e Rrustem Mustafës në Hagë:

Ben Emmerson: Para Rambujesë, Azem Syla ishte komandanti i përgjithshëm. A është e vërtetë që Azem Syla qëndronte në Tiranë?

Rrustem Mustafa: Nuk dëgjohet

Ben Emmerson: Aso kohe Bislim Zyrapi që ishte ushtarak dhe e njihje, kishte rolin e shefit të shtabit. Pra në fakt ishte një person me përvojë ushtarake brenda shtabit dhe meraku i juaj ishte që në krye të shtabit duhet të kemi një ushtarak?

Rrustem Mustafa: Kam menduar që mundet Bislim Zyrapi me qenë komandant.

Ben Emmerson: Menjëherë pas Rambujesë, anëtarët ekzistues të shtabit të përgjithshëm u transferuan në role të reja në qeverinë e përkohshme të Kosovës. Në thelb pjesë e pasojave të marrëveshjes ishte formimi i qeverisë së përkohshme.

Rrustem Mustafa: Po

Ben Emmerson: Gjatë këtij procesi disa persona ndërruan rolet. Azem Syla u bë ministër i mbrojtjes, Bislim Zyrapi u bë shef kabineti në ministrinë e mbrojtjes.Dhe kur iu bëra pyetje të premten që Zyrapi u ngrit në detyrë më duket se keni thënë “ka mujt me qenë kështu”.

Rrustem Mustafa: Mundemi me thanë.

Ben Emmerson: A ishit në dijeni aso kohe që disa nga anëtarë të shtabit të përgjithshëm përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999.

Rrustem Mustafa: Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantët e zonave. Të gjithë qëndronin jashtë vendit.

Kujtojmë se, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur së fundi, për kohën e luftës dhe rolin që e ka pasur ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi gjatë asaj kohe.

Haradinaj ka thënë në një emision televiziv se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë” në UÇK.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar Mustafa, me një fjali në rrjetin social Facebook.

“Atë që e bënë njeriu për pak vëmendje nuk e bënë dot asnjëra nga gjallesat për mbijetesë!”, shkroi Mustafa.

/GazetaBlic/