Sporti

FIFA paralajmëron rrezik të lartë për vonesë të ndeshjes Francë – Paraguaj për shkak të motit

07/04/2026 18:39
nga:Mergim Rreci

Ndeshja e fazës së 1/16-ës së finales së Kupës së Botës mes Francës dhe Paraguajit, e planifikuar të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës, rrezikon të nisë me vonesë të konsiderueshme.

Shkak janë kushtet e pafavorshme atmosferike që pritet të godasin qytetin e Filadelfias, ku parashikohen stuhi të forta, temperatura shumë të larta dhe rrezik i shtuar nga rrufetë, transmeton GazetaBlic Sport.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, FIFA po monitoron vazhdimisht situatën meteorologjike. Rregullorja e sigurisë parashikon që nëse një rrufe regjistrohet brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja nuk mund të nisë ose duhet të ndërpritet derisa të kalojnë të paktën 30 minuta pa aktivitet elektrik. Çdo rrufe e re e rinis këtë afat, duke bërë që vonesa të zgjasë edhe për disa orë.

Përveç stuhive, organizatorët po përballen edhe me temperatura ekstreme, me ndjesinë termike që pritet të kalojë 40 gradë Celsius. Për këtë arsye, FIFA ka planifikuar masa shtesë sigurie, përfshirë pushime për hidratim dhe zona të posaçme freskimi për lojtarët, zyrtarët dhe tifozët.

Nëse kushtet atmosferike përkeqësohen sipas parashikimeve, tifozët e Francës dhe Paraguajit mund të duhet të presin më gjatë se sa ishte planifikuar për fillimin e kësaj përballjeje të rëndësishme të Kupës së Botës.

/GazetaBlic Sport/