Komentatori politik Fidan Rama ka kritikuar ashpër reagimin e kryetarit dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë qasje si “mjerim institucional”.
Sipas Ramës, edhe pse opinionistët dhe komentatorët politikë nuk prodhojnë efekte juridike dhe përfaqësojnë vetëm mendimin e tyre publik, situata bëhet shqetësuese kur një figurë institucionale si Dimal Basha vë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka theksuar se Basha, me votën e tij, ka qenë pjesë e procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke ua dhënë atyre mandatin dhe besimin për interpretimin e Kushtetutës.
“Ky është thelbi i mjerimit: një njeri që me votën e tij ua ka dhënë mandatin gjyqtarëve për ta interpretuar Kushtetutën, sot ua konteston këtë të drejtë”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e ka të qartë rolin dhe kompetencën e saj, duke theksuar se vendimet e saj janë të pakontestueshme dhe përfundimtare. Rama ka vlerësuar se forma dhe gjuha e reagimit të Dimal Bashës ndaj Gjykatës Kushtetuese janë totalisht të papranueshme dhe përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe të besimit institucional.


