Sllovakia do të marrë masa të ashpra reciproke kundër Ukrainës nëse nuk zgjidhen problemet që lindën pasi Kievi nuk zgjati marrëveshjen me Moskën për kalimin e gazit rus përmes Ukrainës, tha sot kryeministri sllovak Robert Fico.
Këtë ai e tha sot pas një bisede me Komisionerin Evropian për Energji, Dan Jorgensen, raporton Reuters.
Fico akuzoi Kievin për dëmtimin e Sllovakisë duke mos rinovuar një marrëveshje tranziti të gazit me Rusinë për të transportuar gaz përmes Ukrainës dhe kërcënoi se do të hakmerrej duke shkurtuar furnizimin me energji elektrike për Ukrainën ose duke shkurtuar ndihmën për refugjatët.
Ai tha se gjatë një vizite te presidenti rus Vladimir Putin në Moskë muajin e kaluar, ai siguroi furnizimet me gaz në Sllovaki pavarësisht pezullimit të tranzitit nga Ukraina.
Sipas të dhënave të operatorit sllovak të sistemit të gazsjellësit Eustream , që nga ndërprerja e tranzitit të gazit përmes Ukrainës, Sllovakia ka importuar gazin rus që vjen nga Hungaria nëpërmjet gazsjellësit Rrjedha Turke.
Fico tha se pezullimi i tranzitit të gazit përmes Ukrainës i kushtoi Sllovakisë 500 milionë euro tarifa tranziti dhe 1 miliard euro për shkak të rritjes së çmimit të gazit.