Në edicionin garues 2022/23 Kosova do të paraqitet me 4 ekipe në garat evropiane.
Futbolli kosovar do të prezantohet në Champions League, Europa League dhe Conference League, ku të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë: kampioni, fituesi i Kupës, vendi i dytë dhe vendi i tretë në renditjen e Superligës.
Lidhur me këtë për GazetaBlic Sport ka folur edhe trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu, i cili tha se ky është një lajm shumë i mirë për futbollin kosovar.
“Ky lajm është shumë i mirë sepse me një vendim te tillë shtohen ambiciet e klubeve. Evropa tashmë është shumë më afër për skuadrat e Superligës së Kosovës, kur dihet që katër skuadra do të kalojnë tutje. Tashmë edhe niveli dhe cilësia e skuadrave kosovare do te rritet dhe ambiciet e skuadrave natyrisht do të jene më të mëdha“, tha fillimisht Sejdiu për GazetaBlic Sport.
Më pas ai u pyet edhe në lidhje me reduktimin e kalkulimeve nga klubet dhe ndryshimin e politikave të brendshme tashmë pas rritjes së numrit të skaudrave kosovare që do të luajnë në Evropë.
“Kalkulimet dhe politikat jashtë fushës tashmë mendoj që do të reduktohen. Tashmë gara do të jetë më e fortë brenda fushës dhe skuadrat do t’i qasen më seriozisht asaj. Mendoj që pranimi i katër skuadrave në Evropë, do të ndikojë shumë edhe në reduktimin e këtyre gjërave”, përfundoi Sejdiu.
/GazetaBlic Sport/


