Lajme

Analistët politik: Vjosa Osmani ka dy rrugë pas mandatit – parti të re ose rikthim në Lidhjen Demokratike të Kosovës

03/11/2026 09:41
nga:Genita C

Analisti politik, Blerim Burjani ka folur për rrugëtimin e Osmanit pas përfundimit të mandatit të saj, më 4 prill.

Sipas tij, Osmani ka dy rrugë, ose të formojë parti të re ose t’i bashkohet LDK-së.

“Ajo ka dy rrugë: të formojë parti ose t’i bashkohet ndonjërës prej partive, ose të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nuk ka opsione të tjera nëse dëshiron të mbetet në lojën politike apo në skenën politike në Kosovë. Ajo është duke menduar se si të veprojë në këtë situatë. Një listë qytetare mund ta formojë dhe ta certifikojë nëse ka zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Tutje, Burjani thotë se Albin Kurti, mendon vetëm për vete dhe Osmanin e ka djegur politikisht.

“Nuk ka mbetur gjë tjetër; Albin Kurti e ka djegur politikisht si letër.Pra, normal që ajo ka të drejtë të jetë aktive, të formojë parti dhe të rezistojë ndaj padrejtësisë politike që i është bërë. Kurtit nuk i duhet as Lista Guxo e as Alternativa; edhe prej tyre do të lirohet në zgjedhjet e ardhshme. Pra, qëllimi i Kurtit nuk ka qenë të krijojë front kundër partive opozitare aktuale, por të punojë për vete dhe vetëm për vete”, tha Burjani për GazetaBlic.

Arton Muhaxheri thotë se, megjithëse Vjosa Osmani nuk e ka deklaruar hapur, ajo po përgatitet për një rikthim aktiv në politikë.Sipas tij, një nga opsionet mund të jetë krijimi i një liste të saj dhe një koalicion parazgjedhor me Lidhja Demokratike e Kosovës, ose rikthimi i drejtpërdrejtë në këtë parti.

“4 prilli është dita kur presidentja Vjosa Osmani do të njihet si ish-presidente e Kosovës, për faktin se Albin Kurti dhe LVV nuk e kandiduan edhe për një mandat. Ajo që është e sigurt, ndonëse e pathënë drejtpërdrejt nga Osmani, është se ajo po përgatitet për një rikthim aktiv në politikë. Këtë, natyrisht, mund ta bëjë ose përmes një liste të saj dhe pastaj te bëjë një koalicioni parazgjedhor me LDK-në, ose duke u rikthyer drejtpërdrejt në LDK”, thotë Muhaxheri.Ai shton se në LDK po shihen sinjale për një ribashkim të mundshëm me Osmanin.

Mosreagimi i zyrtarëve të LDK-së pas intervistës së saj të fundit, ku ajo pranoi disa nga akuzat e mëhershme të partisë, sipas analistit tregon se asaj mund t’i jetë lënë një derë e hapur për rikthim në LDK.

“Për këtë gjë tashmë po shihen sinjale edhe nga LDK-ja, e cila, si duket, po e përgatit terrenin për një ribashkim të mundshëm me të. Sepse ribashkimi, në çfarëdo forme, kërkon kohën e vet për t’i përgatitur strukturat, sidomos duke pasur parasysh se ka ende prej atyre që nuk ia falin Osmanit dëmin që, ia ka bërë LDK-së gjatë këtyre pesë viteve”.

“Mosreagimi i asnjë zyrtari të LDK-së pas intervistës së Vjosës, në të cilën ajo pranoi shumë nga ato që LDK e kishte akuzuar Osmanin si bashkëpuntore e Kurtit dhe e kishin quajtur presidente të njëanshme, tregon se Vjosa Osmanit po i lihet një derë e hapur në LDK”, tha ai për GazetaBlic.