Sporti

Skuadra rumune e hendbollit vjen në Kosovë, kërkon masa sigurie për ndeshjen ndaj Rahovecit

11/21/2024 16:44
nga:Mergim Rreci

Skuadra kosovare e hendbollit, Rahoveci do të përballet me skuadrën rumune, CS Minaur Baia Mare, në fazën e 16-të të Kupës së Evropës EHF (raundi i tretë).

Dy ndeshjet janë caktuar për 23 dhe 30 nëntor, ndërsa takimi i parë do të zhvillohet në Rahovec, përcjell GazetaBlic Sport.

Drejtuesit e skuadrës rumune e kanë filluar lojën jashtë parketit me deklaratat e tyre, duke pretenduar se i pret një ambient armiqësor, madje kanë kërkuar masa të posaçme sigurie.

Liviu Bala (drejtor i përgjithshëm i Minaur): “Të shtunën në mëngjes kam rënë në kontakt me EHF-në, me presidentin e federatës. Ua shpjegova situatën që u krijua nga pikëpamja e motivimit në mediat kosovare, lidhur me ngjarjet në Bukuresht. Kemi kërkuar masa të posaçme mbrojtëse për këtë ndeshje, që të kemi një plan startues, në rast se ndodh diçka nga tifozët e tyre. I kemi ofruar që të dyja ndeshjet t’i luajnë në Baia Mare dhe nuk kanë pranuar, kanë 4000 njerëz në sallë, janë të ‘zjarrtë’. Ne presim një reagim armiqësor”, ka thënë ai.

Ndeshja KH Rahoveci – CS Minaur Baia Mare, në kuadër të xhiros së tretë preliminare të Kupës Evropiane të EHF, do të luhet të shtunën, nga ora 19:00 në Rahovec. Kurse, ndeshja kthyese është planifikuar për 30 nëntor, nga ora 15:00, në Baia Mare.

/GazetaBlic Sport/