Sporti

Pensionimi duket i afërt, Nadal mungon edhe në ‘Madrid Open’

04/20/2023 14:20
nga:Mergim Rreci

Një javë pasi njoftoi se nuk do të merrte pjesë në Turneun Conde de Godo, në Barcelonë, Rafael Nadal konfirmoi se nuk është gjithashtu i aftë për të garuar në Madrid Open që fillon të hënën e ardhshme në kryeqytetin spanjoll.

“Dëmtimi ende nuk është shëruar dhe nuk kam pasur mundësi të stërvitem sa duhet për të garuar. Vendosëm të ndryshojmë pak kurs, të ndjekim një trajtim tjetër dhe të shohim nëse gjërat përmirësohen dhe të përpiqemi të jemi gati për atë që na pret”, tha tenisti spanjoll, i cili po rikuperohet nga një dëmtim muskulor në këmbën e majtë të kontraktuar në Australian Open në fillim të vitit, përcjell GazetaBlic Sport.

Që atëherë, Nadal ka humbur gjithsej shtatë turne dhe pritshmëria është që ai të jetë në gjendje të marrë pjesë në turneun e Romës (10 deri në 21 maj), i fundit përpara Roland Garros (28 maj – 11 qershor).

Ky mund të jetë edhe viti i fundit për Nadal në fushat e tenisit, kjo sepse lëndimet e shpeshta kanë ndikuar edhe tek performanca e tij.

/GazetaBlic Sport/