Një lajm i madh ka qarkulluar gjatë ditës së sotme tek mediat italiane.
Sipas asaj që raporton “FootballNews24.it”, një nga skuadrat më të mëdha në botën e futbollit , Manchester United, ka shprehur interesim për të nënshkruar me mbrojtësin kosovar, Amir Rrahmani.
Rrahmani ka shkëlqyer me paraqitjet e tij tek skuadra e Napolit, duke qenë një nga pikat më të forta të formacionit të Spallettit.
‘GazetaBlic Sport’ ka kontaktuar menaxherin e tij, Adrian Aliaj, ku ai konfirmoj se ka disa skuadra të mëdha që kanë shprehur interesimin për Rrahmanin, duke mos e mohuar as atë të Manchester United.
“Kemi interesim nga shumë skuadra për Amir Rrahmanin. Lojtari është nën kontratë me Napolin dhe ndihet mirë atje. Amiri do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe Napoli është shumë afër që ta sigurojë këtë gjë“, tha Aliaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Do të jetë interesant të shihet se ku do të jetë e ardhmja e kapitenit të Kosovës, për shkak se interesimi i skuadrave të mëdha mund të jetë edhe një presion për skuadrën e Napolit.