Kupa e Botës 2022

Këto janë dy opsionet për të ardhmen e trajnerit gjerman, Thomas Tuchel

12/21/2022 22:37
nga:Mergim Rreci

Thomas Tuchel i ka idetë e qarta rreth së ardhmes. Trajneri gjerman, i cili fitoi Champions League me Chelsea, ka vendosur të vijojë karrierën në La Liga.

Sport Bild raporton se 49-vjeçari ka nisur studimin e gjuhës spanjolle. Diego Simeone do të largohet nga Atletico Madrid në fund të sezonit dhe Tuchel është një nga kandidatët për ta zëvendësuar.

Por, në lojë është edhe pista Barcelona. Presidenti Laporta ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për trajnerin Xavi, por e ardhmja e ish-kapitenit do të vendoset nga rezultatet dhe objektivat e vendosura.

Nëse arrin akordin për të firmosur me një klub iberik, Tuchel do të kthehej në një trajner që ka drejtuar në katër nga pesë kampionatet kryesore të Europës.

Në Bundesliga u bë i njohur pas punës së mirë te Dortmundi, më pas erdhi transferimi në Francë te PSG, ndërkohë që drejtoi edhe Chelsea në Premier League (janar 2021-shtator 2022).