Ronaldinho, Cafu dhe Rivaldo pavarësisht rivalitet mes vendit të tyre, Brazilit dhe Argjentinës, dolën publikisht në mbështetje të kombëtares “Albiceleste” në lidhje me finalen e Kupës së Botës ndaj Francës më datë 18 dhjetor.
Tre emrat e sipërpërmendur morën përsipër edhe kritikat nga patriotët e tyre, megjithatë ishin në një linjë kur theksuan se Lionel Messi e meriton një Botëror në CV-në e tij të pasur.
Gjithsesi, nuk është i këtij mendimi një tjetër brazilian. Fjala është për ish-portierin e Inter, Julio Cesar me këtë të fundit që shprehet se në finalen e Botërorit, ndjehet i detyruar të rreshtohet përkrah mbështetësve të Francës.
“Si një brazilian, më duhet të mbështes Francën. Unë e dua Messin, është diçka sensacionale ta shohësh atë në fushë, por në mes është edhe ky rivaliteti i shëndetshëm që kemi me Argjentinën. Nëse Brazili do të ishte në finale, argjentinasit do të ishin kundër nesh dhe nuk dua që në këtë moment të tregohem hipokrit.
Sa i takon Brazilit, duhet të mësojmë se më të mirët nuk fitojnë gjithmonë. Çdo eliminim dhemb sepse është gjithë ai përkushtim, megjithatë ky është futbolli. Duhet të mësojmë nga gabimet dhe të përgatitemi për vitin 2026”, tha Cesar.