Skuadra e Trepçës takohet sonte me Pejën në ndeshjen e tretë finale të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trepça e fitoi ballafaqimin e parë në “Minatori”, kurse KB Peja triumfoi në “Karagaç”, duke barazuar serinë në 1-1, shkruan GazetaBlic Sport.
Ndeshja e tretë finale luhet nga ora 20:00 në “Minatori”, me KB Trepçën që synon ta rikthejë avantazhin, por e shoqëruar me problemet e fundit pas largimit të trajnerit turk.
Njëri ndër basketbollistët më të mirë në histori të basketbollit kosovar, Samir Shaptahovic është prononocuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ para ndeshjes së sontme.
Ai tha se shpreson që gjithçka të shkojë mirë në ndeshjet e mbetura në finale, duke përgëzuar të dy skuadrat për arritjen deri këtu.
“Nuk kam shumë informacione se çfarë po ndodh momentalisht në basketbollin kosovar, sepse detyrimet e mia nuk më lejojnë që ta përcjell atë. Por ajo që dua është t’i uroj të dy skuadrat, si Trepçën e ashtu edhe Pejën për arritjen në finalen e madhe. Shpresoj që të mos ketë incidente dhe ofendime mes palëve dhe që çdo gjë të shkojë në mënyrën më të mirë“, tha fillimisht Shaptahovic.
Më pas, ai tha se natyrisht për shkak të viteve të kaluara tek pejanët është në mbështetje të kësaj skuadre dhe gjithashtu pati fjalë të mëdha për dy basketbollistët, Drilon Hajrizin dhe Alban Veselin.
“Sigurisht që do të jem me Pejën sepse kam kaluar shumë vite atje. Dua të them vetëm dy fjalë për dy basketbollistë, Drilon Hajrizi dhe Alban Veselin.
Bravo të dyve sepse e kanë bërë të shkëlqyer këtë fazë ndeshjesh me prezencën dhe performancën e tyre për kaq shumë vite! Sidomos në këto finale”, përfundoi Shaptahovic.

/GazetaBlic Sport/


