Sporti

Flick kërkon përqendrim maksimal: Avantazhi ndaj Dortmund nuk mjafton

04/15/2025 08:06
nga:Mergim Rreci

Në prag të përballjes vendimtare në çerekfinale të Champions League ndaj Borussia Dortmund, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe ruajtjes së qetësisë, pavarësisht fitores bindëse 4-0 në ndeshjen e parë.

Sfida e kthimit zhvillohet sonte në “Signal Iduna Park”, ndërsa katalanasit synojnë të konfirmojnë epërsinë dhe të sigurojnë një vend në gjysmëfinale.

“Kam shumë besim te kjo skuadër. Kemi kaluar shumë ndeshje pa humbje dhe duhet të jemi krenarë për këtë. Nuk kam asnjë ankesë për asnjë nga lojtarët e mi, kjo është një skuadër e jashtëzakonshme”, është shprehur Flick në konferencën për shtyp të së hënës.

Barcelona është e pamposhtur në njëzet e katër ndeshje radhazi në të gjitha garat dhe aktualisht është në rrugën drejt një sezoni historik, duke kryesuar La Liga dhe duke qenë finaliste e Kupës së Mbretit. Por Flick ka theksuar se nuk dëshiron që ekipi të shpërqendrohet nga qëllimi kryesor.

“Skuadra duhet të shijojë atë që po bën dhe jemi të gatshëm për këtë ndeshje. Duam të luajmë mirë për veten tonë, por edhe për tifozët tanë që na ndjekin kudo. Nuk do të lejojmë që përqendrimi ynë të bjerë”, është shprehur ai.

Tekniku gjerman ka këmbëngulur se, pavarësisht suksesit në ndeshjen e parë, përballja në Gjermani do të jetë një tjetër sfidë serioze.

“Po mendojmë vetëm për ndeshjen me Dortmundin. Pjesa tjetër është për të ardhmen. Ne nuk shohim përtej kësaj sfide. Filozofia jonë është të japim gjithmonë maksimumin”, ka theksuar Flick. “Të luash në stadiumin e Dortmundit në këtë fazë të Champions është gjithmonë e vështirë. Kemi shumë cilësi në ekip, por e dimë se nuk mund të lëmë asgjë në dorë të rastësisë.”

Barcelona do të kërkojë të mbyllë llogaritë dhe të përforcojë pretendimet për triumfin e parë në Champions që nga viti 2015.