Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vendimeve për rikthimin e emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë, duke i cilësuar ato si veprime që prekin kujtesën historike, identitetin dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj tha se rikthimi i emërtimeve të lidhura me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e simbolikës së një regjimi që shtypi shqiptarët për dekada.
“Rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e një simbolike të regjimit që shtypi shqiptarët për dekada. Po ashtu, ai rikthen në kujtesë edhe trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), e cila kreu krime të rënda dhe mori pjesë në fushata gjenocidale kundër shqiptarëve në Kosovë, si edhe kundër boshnjakëve dhe kroatëve gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, shkroi Hoxhaj.
Ai theksoi se të drejtat e fituara të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të vihen në pikëpyetje përmes vendimeve që, sipas tij, krijojnë pasiguri dhe nxisin ndarje.
“Ruajtja e barazisë, respektimi i gjuhës shqipe dhe i karakterit shumetnik të shtetit janë themeli i stabilitetit dhe i orientimit euroatlantik të vendit.”
Sipas Hoxhajt, çdo veprim që dobëson frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit nuk i shërben demokracisë, paqes dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Shqiptarët meritojnë siguri juridike, barazi të plotë dhe respekt për të drejtat e fituara, jo kthim prapa.”


