Në Pallatin e Serbisë ka përfunduar seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe më pas filloi takimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me serbët e Kosovës, raporton GazetaBlic.
Vuçiq për shkak të bisedimeve me serbët nga Kosova ka anuluar të gjitha obligimet lidhur me fushatën zgjedhore, është konfirmuar për Danas në zyrën e presidentit.
Sipas mediave të Beogradit, biseda me serbët nga Kosova “për shkak të seriozitetit të situatës mund të zgjasë më shumë se sa pritej”.
Kështu fjalimet e Vuçiqit në mitingjet parazgjedhore në Jakovë, Zheleznik dhe Kaludjericë u anuluan.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, ka thënë Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Rreth kësaj ka reaguar edhe drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.
“Ne jemi në kontakt me serbë lokal të Kosovës dhe serbët janë të shqetësuar, andaj nevojitet që në këtë fazë institucionet e shtetit tonë dhe të gjitha partit politike shqipëtare të Kosovës të bëhen unike dhe të jemi së bashku në këtë sfidë”, u shpreh Sheholli për GazetaBlic.


