Sporti

Ermir Lenjani: Me përkushtim dhe unitet, Shqipëria ka gjasa reale për botëror

11/13/2025 09:09
nga:Mergim Rreci

Ish lojtari i Shqipërisë, Ermir Lenjani u ndal te ndeshja e sotme ndaj Andorrës, kundërshtar të cilin kuqezinjtë e kanë mposhtur herën e fundit në transfertë pikërisht me golin e tij.

Lenjani për ‘Panorama Sport’ shprehet se kuqezinjtë kanë shanse realet për të në Botëror, ndërkohë që për fitoren në Serbi, ai e cilëson historike dhe me emocionet të jashtëzakonshme.

A mendon se Shqipëria ka shanse reale për të shkuar në Botëror?

Po, besoj fort në djemtë tanë. Ata e kanë treguar shumë herë në fushë se kanë cilësi dhe karakter për t’u përballur me çdo kundërshtar. Me përkushtim dhe unitet, gjithçka është e mundur.

A ka në Kombëtare një lojtar që të ngjan me Lenjanin?

Jo, nuk mendoj se ka një lojtar të ngjashëm.

Një muaj më parë, Shqipëria mundi Serbinë në Leskovc. Si e përjetuat atë ndeshje?

Ishte një ndeshje fantastike! Na bënë të gjithë shqiptarët në botë krenarë. Kisha shumë emocione sepse e dija çfarë do të thoshte ajo fitore, sidomos për ata që kanë përjetuar momentet e vështira në të kaluarën. Kam luajtur vet në Serbi para 11 vitesh dhe e di mirë çfarë kemi kaluar si lojtarë. Prandaj ajo fitore ishte diçka shumë e madhe, historike për ne, për gjithë popullin.