Sporti

“Ferrari” i Gjilanit apo “Mercedesi” i Llapit, ja kush e fiton ‘garën’ sipas Tahir Batatinës

02/10/2022 13:34
nga:Mergim Rreci

Në ambientet e FFK-së është hedhur shorti për raundin tjetër në Kupën e Kosovës.

Tashmë janë mësuar çiftet çerekfinaliste, atje ku do të kemi ndeshje shumë interesante, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra Lalpit do të përballet me Gjilanin, me dy skuadrat që pritet të ofrojnë spektakël të madh në fushë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina tha për ‘GazetaBlic Sport’ se pret një ndeshje interesante dhe se do të bëjnë maksimumin për të kaluar tutje.

“Do të përballen dy skuadrat që kanë vazhdimës dhe një super organizim brenda tyre. Ne do ta japim maksimumin tonë që të kalojmë tutje. E kuptojmë që kemi para vetës një kundërshtar të vështirë, por besoj që edhe fakti se do të luajmë në “Zahir Pajaziti” do të jetë një përparësi për ne“, tha fillimisht Batatina për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, Batatina u pyet edhe për rivalitetin me trajnerin e Gjilanit, Ismet Munishit. Viteve të fundit kishte edhe disa batuta mes dy trajnerëve si dhe krahasime interesante.

“Jemi dy trajnerë që jemi shokë dhe kolegë të mirë, por brenda jemi rivalë të përbetuar. Natyrisht që në fushë do të tentojmë ta mposhtim njëri-tjetrin. Kam një skuadër cilësore dhe besoj se do t’ia dalim të kalojmë tutje“, përfundoi Batatina.

/GazetaBlic Sport/