Drejtori i Institutit “Octopus,” Arben Fetoshi, ka theksuar rëndësinë strategjike dhe politike të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas Fetoshit, ndihma amerikane në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, përfshirë fillimin e konsolidimit të mbrojtjes ajrore, është një mesazh i qartë ndaj Serbisë, e cila vazhdimisht sfidon dhe refuzon ta pranojë realitetin e një Kosove të pavarur.
Fetoshi theksoi se, pavarësisht keqkuptimeve politike midis Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-ve, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mbeten të ngushta dhe të pacenuara.
Një shembull konkret i kësaj mbështetjeje, sipas Fetoshit, erdhi nga vizita e fundit e Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në Shtetet e Bashkuara – nga ku njoftoi se FSK-ja pritet ti ketë helikopterët “Black Hawk” në flotën e saj ajrore.
“(Hapja e rrugës për blerjen e helikopterëve) Jo vetëm që ka rëndësi të madhe për fazën përmbyllëse të tranzicionit të FSK-së në ushtri, në forcë mbrojtëse. Por ka gjithashtu edhe rëndësi të madhe politike, në kuptim e mesazhit drejtuar Serbisë. E cila në vazhdimësi edhe më tutje ndërmerr aktivitete që konsistojnë në sfidimin ose përpjekjet e saj për të mos e pranuar realitetin politik në Ballkanin Perëndimor, në Kosovën e pavarur. E që natyrisht, sa më parë që do ta pranojë këtë realitet aq më mirë do të jetë, jo vetëm për sigurinë, por edhe për paqen e stabilitetin në Ballkanin dhe për marrëdhëniet tona fqinjësore.
Përtej vështirësive të komunikimit të nivelit politike, besoj që SHBA=të në vazhdimësi e kanë bërë të qartë që marrëdhënien e tyre ka qenë dhe mbetet marrëdhënie e ngushtë dhe e pacenuar. E që normalisht që lajmet që erdhën prej ministrit Maqedonci, gjatë vizitës se tij në SHBA, e konfirmojnë këtë. Për shkak se pavarësisht keqkuptimeve eventuale politike me Qeverinë e Kosovës ne tashmë kemi një fakt të padiskutueshëm, të mbështetjes së vazhdueshme amerikane për ngritjen e kapaciteteve të Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar”, ka thënë Fetoshi.
Fetoshi e cilësoi FSK-në si institucionin më të rëndësishëm dhe një faktor të pamohueshëm për afirmimin e sovranitetit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
“Pra në qoftë se flasim për një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, në fillimin e konsolidimit të mbrojtjes ajrore, atëherë flasim për fazën fundit të ushtrisë tonë, e që është institucioni më i rëndësishëm dhe faktori më i padiskutueshëm i afirmimit të sovranitetit dhe të marrëdhënie ndërkombëtar të Kosovës. Me gjithë faktin që ne jemi dëshmitar në sfidave në kuptim të subjektivitetit ndërkombëtar, duke pasur parasysh mosnjohjen nga disa vene të BE-së e NATO-s”, ka shtuar Fetoshi.