Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, e ka cilësuar shfaqjen e kamionëve-ekranë me materiale për Kosovën në Nju Jork si pjesë të një fushate që, sipas tij, synon të ndikojë opinionin perëndimor përmes një narrative të “viktimizimit serb”.
Në një analizë të tij, Fetoshi argumenton se aksioni i paraqitur si aktivitet “humanitar” zhvillohet në një moment kur vëmendja ndërkombëtare është e përqendruar në Nju Jork, ku po mbahet Debati i Përgjithshëm dhe Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas tij, përmes këtyre kamionëve po përdoren pamje nga ngjarje të ndryshme, të shkëputura nga konteksti i tyre dhe të bashkuara në një narrativë që synon ta paraqesë Kosovën si shtet represiv ndaj komunitetit serb.
“KAMIONËT E “VIKTIMIZIMIT” NË NJU JORK
(Manovra serbo-ruse e presionit ndaj Perëndimit për ta “kriminalizuar” Kosovën)
Zgjatimi i “viktimizimit serb” me kamionët që kanë eksportuar në Nju Jork fabrikimin e “terrorit të Kurtit”, shpërfaq kalkulimin strategjik të Beogradit e Moskës për të ndikuar audiencën perëndimore me narrativën e “Kosovës represive”.
Duke shfrytëzuar vendin ku është e përqendruar vëmendja politike, diplomatike dhe mediale e botës (Debati dhe Java e Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, 22-29 shtator 2026), aksioni i pretenduar si “humanitar” afishon përmbajtje mashtruese përmes rikornizimit narrativ të disa incidenteve, protestave dhe veprimeve institucionale, pa lidhje me njëra-tjetrën.
Një mekanizëm propagandistik që ka selektuar pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i montuar si “prova” për vazhdimësinë e “persekutimit” të serbëve, përforcohet edhe me mesazhe mbështetëse ndaj Presidentit Trump (Kosovo Online, 21.09.2026).
Trazirat e marsit 2004 janë bashkuar me incidente, arrestime e veprime ligjore të mëvonshme (2026), për të ndërtuar rrëfimin e fabrikuar të “vuajtjeve serbe”. Të shkëputura nga konteksti, ato përdoren për ta projektuar modelin e “dhunës”, që ka për qëllim “kriminalizimin” e Republikës së Kosovës.
“Terrori i Kurtit” është vetëm korniza aktuale e një narrative shumë më të gjerë të mediave serbe e ruse kundër Kosovës dhe Perëndimit.
Në dy vitet e kaluara, kamionët-ekranë kombinonin pamje të “brutalitetit” ndaj serbëve me pretendimet për krime të UÇK-së, ndërkaq sivjet, këto të fundit, bazuar në raportimet e deritashme, duket janë hequr pas vendimit dënues të Hagës (Kosovo Online, 21.09.2026). Një gjë e tillë e demaskon reagimin e Vuçiqit si “i pakënaqur” me vendimin ndaj krerëve të UÇK-së (Novosti, 16.09.2026), duke e pozicionuar Serbinë brenda interpretimit të Daçiqit për konfirmimin e “UÇK-së kriminale” (Kosovo Online, 16.09.2026).
Ai ka paralajmëruar se në Asamblenë e Përgjithshme do të flasë me fotografi për pozitën e “rëndë” të serbëve dhe për “hipokrizinë” e Perëndimit, prandaj aksioni me kamionët e propagandës është vizualizim paralel i narrativës së tij, i bashkërenduar edhe me komunikimin strategjik të Rusisë. Vetëm një ditë pas vendimit në Hagë, Sergei Lavrov nuk e përmendi atë, por ritheksoi akuzat ndaj Perëndimit për “standarde të dyfishta”. Ndërkaq, RT Balkan e aktualizoi narrativën e kamionëve përmes titullit “Terrori i Kurtit kundër serbëve ka mbërritur në Nju Jork” (RT Balkan, 21.09.2026).
Mbi këtë bazë, kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me “gabimin” e vitit 1999. Serbia, duke “argumentuar” me pretendimet sistematike për “luftën kriminale të UÇK-së” si baza e një shteti të “kriminalizuar”, i cili është mbështetur nga “agresioni i NATO-s” dhe vazhdon politikën e “terrorit” ndaj serbëve, ndërsa Rusia, duke “vërtetuar” ndërhyrjen jolegjitime të NATO-s dhe “dyfytyrësinë” e Perëndimit.
Në këtë konstruksion, kamionët-ekranë në Nju Jork marrin peshë të jashtëzakonshme kërcënuese.
Ata kanë eksportuar në kryeqendrën e botës “mallin” më të rrezikshëm për vlerat dhe kohezionin perëndimor, rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe paqen e brishtë në Ballkan”, ka shkruar Fetoshi.


