Leverkuseni arriti dje sukesin e madh duke fituar titullin e parë të Bundesligës në histori të klubit.
Granit Xhaka dhe shokët e tij nën urdhërat e Xabi Alonsos ndalën dominimin 11 vjeçar të Bayern Munichut.
Ish lojtari i Shqipërisë njëkohësisht edhe mik i ngushtë i mesfushorit shqiptar, Blerim Rrustemi ishte i pranishëm në festën e Leverkusenit.
Rrustemi rrëfen për ‘GazetaBlic Sport‘ emocionet e para të Granit Xhakës pas arritjes madhështore.
“Nuk e ka prit askush, kemi mendu për kualifikim në Champions League, por që do bëhen kampion s’e ka prit askush hiç”, tha fillimisht Blerim Rrustemi për ‘GazetaBlic Sport’.
“Granitin e duan të gjithë në Gjermani, sepse është një njeri simbol. Jam shumë i lidhur me të, flasim shumë gjëra me të – sikur të jemi vëllezër. Isha prezent dje, nuk mungova, isha me familjen time dhe të Granitit, u futëm në fushë me flamurin kuqezi, nuk e kam mendu se do bëhet virale fotografia ime – s’e kam bë me naj qëllim, por e kam bërë që të duket edhe flamuri ynë në fushë – jo veç të huajt”, shtoi ai.
“Graniti ka hy në histori të përjetshme, jo veç me gol, por edhe me titullin e parë. Nuk ka fjalë për të. Ai është futbollisti më i madh shqiptar që kam pa deri më sot, me të arritura po flas. Poashtu, nëse nuk është i pari n’botë – po besoj që i dyti është në pozicionin e tij për momentin. Ka shumë vlera dhe këtë e ka dëshmuar”, përfundoi Rrustemi.


