Kupa e Botës 2022

Festa në Argjentinë, një tifoz humb jetën, 5-vjeçari përfundon në koma

12/20/2022 22:25
nga:Mergim Rreci

Në Buenos Aires po festohet prej ditësh, teksa mbërritja e kombëtares argjentinase në kryeqytet ka krijuar emocione dhe atmosferë tepër të veçantë. Miliona argjentinas kanë dalë rrugëve për të pritur kampionët e rinj të botës, ndërkohë që është regjistruar viktima e parë.

Një 24-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit nga një çati ku ishte ngjitur për të festuar paradën e Leo Messit me shokë. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se ngjarja ishte “pas një rënie nga një lartësi, në kuadër të festimeve masive që u zhvilluan në Buenos Aires”.

Në Argjentinë janë regjistruar edhe incidente të tjera në Gonzalez Catan dhe Mar del Plata. Një person është rrëzuar nga lartësia duke plagosur tre të tjerë, ndërkohë që një copë mermeri ra nga monumenti në Plaza San Martín, duke goditur kokën e një djali pesëvjeçar.

I mituri ka përfunduar në koma. Në të njëjtin qytet bregdetar ka pasur përleshje gjatë festimeve. Një burrë është plagosur me thikë në krah dhe është dërguar në spital në gjendje të rëndë.