Sekuestrohen mbi 24 mijë euro mallra të falsifikuara gjatë një kontrolli doganor në Ferizaj
Dogana e Kosovës dje ka ushtruar kontrolle doganore ndaj një subjekti afarist në rajonin e Ferizajt, bazuar në informata operative dhe në kuadër të aktiviteteve të rregullta të mbikëqyrjes së tregut.
Gjatë kontrollit në ambientet e depos së subjektit, zyrtarët doganorë kanë verifikuar dokumentacionin doganor për mallrat e deklaruara, të cilat përfshinin mbathje sportive për të rritur dhe fëmijë, me zyrë destinuese Doganën e Ferizajt.
“Gjatë kontrollit të stokut ekzistues janë identifikuar disa pako me mbathje sportive të markave tregtare të mbrojtura, të cilat janë vënë nën mbikëqyrje doganore për verifikim të mëtejmë, për të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në Kosovë” thuhet në njoftimin e Doganës.
Pas numërimit dhe evidentimit të pakove të identifikuara si të parregullta, janë sekuestruar gjithsej: 1,920 palë mbathje sportive me markë tregtare NIKE, dhe 330 palë mbathje sportive me markë tregtare ADIDAS.
“Përfaqësuesi i subjektit ka pranuar se mallrat e sekuestruara janë produkte të falsifikuara dhe është pajtuar që ato të asgjësohen, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Malli i sekuestruar është transportuar nën masa sigurie në objektet doganore dhe është dorëzuar për ruajtje zyrtare” thuhet tutje në njoftim.
Dogana bën të ditur se sipas vlerësimit zyrtar, vlera e mallit të sekuestruar është 24,300.00 euro, ndërsa shmangiet nga detyrimet doganore vlerësohen në 7,241.40 euro.


