Sporti

Ferdinand: Manchester City mund të fitojë tripletën

04/27/2023 19:43
nga:Mergim Rreci

Me vendin e parë vetëm 2 pikë larg, finalen e FA Cup të siguruar dhe arritjen në gjysmë-finalen e UEFA Champions League, duket se “qytetarët” e Manchester City janë vetëm “3 hapa” larg “tripletës” aq shumë të ëndërruar nga tifozët e tyre, por dhe nga vetë klubi.

Teksa të shumtë janë ata se Pep Guardiola mund të arrijtë të bëjë “magjinë” me anglezët, në favor të “qytetarëve” ka folur dhe legjenda e mbrojtjes të “rivalëve” të tyre historikë, Rio Ferdinand.

Ish-“shtylla” e mbrojtjes së United mendon dhe beson se City ka një shans të “artë” për të fituar “tripletën” e famshme, teksa nuk lë pa theksuar as organikën e shkëlqyer që “qytetarët” kanë arritur të grumbullojnë.

“Unë mendoj se do të ishe budalla nëse do të thoje se City nuk mund të fitojë tripletën. Ata mund të fitojnë të gjitha ndeshjet e ardhshme dhe këtë e kanë dëshmuar me numrin e pikëve që kanë shënuar gjatë dy sezoneve të fundit.

Por një përballje e rëndësishme do të jetë ndaj Real Madrid. Pavarësisht se si do të vijnë madrilenët në këtë lojë, ne kemi parë suksesin e tyre në Champions League. Ata kanë lojtarë të klasit botëror në të gjitha pozicionet dhe përvojë të mjaftueshme për të përballuar këtë Manchester City.

Kjo është një ndeshje e rëndësishme, pastaj do të ketë një derbi në finalen e FA Cup. Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë atje, por ata do të jenë favoritët. A munden ata të fitojnë tripletën? Po, ata munden”,- tha në fjalën e tij për “rivalët”, ish-mbrojtësi i Manchester United. /i.m /abcnews.al