Trajneri portugez Ruben Amorim ka marrë drejtimin e Manchester Untied. Ai ka 13 ditë kohë për të përgatitur skuadrën për ndeshjen e ligës me Ipswich, që luhet pas pushimit ndërkombëtar.
Ardhja e Amorimit nënkupton edhe largimin e Ruud van Nistelrooy, sulmuesi legjendar holandez që mori drejtimin e Manchester United pas largimit të Erik ten Hag. Van Nistelrooy ka drejtuar me sukses United në katër ndeshjet e fundit. Ai pati tre fitore dhe vetëm një barazim, një paraqitje shumë më e mirë se paraardhësi i tij.
Ish-bashkëlojtari i tij Rio Ferdinand tha se Amorim duhej të largonte Van Nistelrooy sepse holandezi ka statusin e legjendës në mesin e tifozëve.
“Nëse keni një njeri të tillë në pankinë si asistent dhe gjërat nuk shkojnë mirë, e dini se tifozët do të fillojnë të kërkojnë që Van Nistelrooy të bëhet trajner. Tifozët e donin atë, e duan edhe më shumë tani”, shpjegoi Ferdinand në podcast-in e tij.
/GazetaBlic Sport