Sporti

Ferati: Fitorja ndaj Zvicrës e vështirë, por jo e pamundur

11/21/2024 17:57
nga:E K

Kombëtarja e Kosovës në basketboll përballet sonte me kombëtaren e Zvicrës.

Ky takim do të jetë i vlefshëm për parakualifikimet evropiane të Kupës së Botës 2027, prej të cilave Kosova synon të dalë sa më mirë.

‘Dardanët’ i pret një punë e vështirë sonte pasi do të kenë punë me ekipin “Helvetik”, i cili i ka dy fitore nga po aq takime.

Kurse, Kosova e ka një fitore e një barazim, njëjtë si Azerbajxhani, kurse Irlanda i ka dy humbje.

Pak para fillimit të këtij takimi, analisti i basketbollit, Ismet Ferati ka folur për ‘GazetaBlic Sport’.

Ferati potencoi se Kosovën e pret një duel i vështirë, teksa thotë se te ‘Dardanët’ ka shumë lojtarë që nuk janë në formën optimale.

“Mendoj që Kosova do ta ketë mjaft vështirë sonte kundër Zvicrës përveç faktit që Zvicra është lidere e grupit, mendoj që edhe janë të komponuar shumë mirë. Kosova ka pasur shumë probleme me lëndime të lojtarëve, me formë jo të mirë gjatë kampionatit, me lojtar me pak minuta në klubet e tyre. Dardan Berisha vonë ka filluar të stërvitet dhe të luaj dhe nuk është me formën optimale të tij, ndërsa Drilon Hajrizi nuk do të luaj fare, dhe dihet që këta dy lojtar janë bartës të lojës te Kosova. Ajo që mund të jetë pozitive është trajneri i ri dhe dihet që në sport me ndrrimin e trajnerit ekipi shumë herë reagon pozitivisht, kështu që shpresojmë që edhe tek ne të ndodhë kjo gjë. Do të jetë e vështirë shumë, por jo edhe e pamundur, kështu që shumë suksese djemëve tanë!”, tha Ferati për GazetaBlic Sport.