Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka nisur nga 16 gushti shkyçjen nga rrjeti të bizneseve që nuk kanë lidhur kontratë me furnizues në tregun e hapur të energjisë, si pjesë e vendimit për liberalizimin që hyri në fuqi më 1 qershor 2025.
Ky vendim prek kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro. Deri tani janë shkyçur rreth 450 biznese.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po trajtohen bizneset në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë. Ai tha se bizneset janë përballë një situate të rëndë ekonomike si pasojë e një plani të qëllimshëm të Qeverisë Kurti për t’i dëmtuar ato.
“Bizneset janë para një situate tepër të rëndë ekonomike, financiare, nga goditja që po i bëhet në mënyrë të padrejtë nga institucionet e shtetit, gjegjësisht nga qeveria. Ky ka qenë edhe synimi, edhe plani i qeverisë Kurti për t’i dëmtuar deri në këtë shkallë bizneset në mënyrë që ato të jenë të dëgjueshme dhe të kontrollueshme”, tha ai për Front Online.
Sipas tij, vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e lirë është ndërmarrë pa përgatitje ligjore, pa analiza të thella. Ai paralajmëroi se kjo qasje do të ndikojë drejtpërdrejt në humbjen e shumë vendeve të punës.
“Diçka e tillë nuk ka ndodhur në historinë ekonomike të Kosovës, ku pa u përgatitur situata legjislative mirë, pa u përgatitur terreni për liberalizim, pa krijuar alternativa të mjaftueshme dhe bazë të mirë ligjore, po nxirren dhunshëm, në mënyrë arbitrare bizneset në tregun e lirë, kjo do të reflektojë me humbjen e shumë vendeve të punës”, tha Shala për Front Online.
Deputeti Shala: Qeveria ”Kurti” po mbështet strukturat mafioze në sektorin e energjisë
Ferat Shala, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës në një prononcim për Front Online ka akuzuar qeverinë për dështim total në sektorin energjetik gjatë pesë viteve të fundit.
“Qeveria tashmë ka dështuar, në mënyrë të qartë në gjithë sektorin energjetik, sepse qeveria për pesë vite rresht, nuk ka arritur ta rrisë prodhimin vendor për asnjë megavat”, tha ai.
Sipas tij, qeveria vazhdon të mbështesë struktura krejtësisht armiqësore ekonomike, të cilat vijnë nga linjat e ndryshme mafioze energjetike.
“Qeveria ka arritur të vetmen gjë, që ta rrisë fuqishëm dhe ta mbështetë konceptin e importit të energjisë nga rrjetet tashmë të korruptuara. Qeveria i ka mbështetur dhe po i mbështet, strukturat krejtësisht armiqësore ekonomike që vijnë nga linjat e ndryshme mafioze energjetike”, tha ai.
Shala për vendimin e ZRRE-së: Po të ishim në pushtet do të vepronim ndryshe
Deputeti i PDK-së Ferat Shala, për Front Online, tha se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme për padinë e tyre dhe shtoi se mbeten pro zgjidhjeve që mbrojnë bizneset, derisa të krijohen kushtet e duhura.
“Ne e kemi padinë tonë në Gjykatën Supreme dhe presim vendimin e saj. Jemi pro zgjidhjes dhe pro mbështetjes së bizneseve deri sa të krijohen kushtet e favorshme, deri sa të rritet kapaciteti i prodhimit vendor energjetik dhe deri sa të ketë konkurrencë të mjaftueshme, reale të lirë në treg”, tha ai për Front Online.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si do të vepronte PDK në këtë situatë, deputeti Shala tha se nëse ata do të ishin në pushtet, do të kishin bërë analiza të thella dhe konsultime me bizneset, dhe do të kishin përgatitur legjislacionin e duhur.
“Sigurisht, pas një analize dhe debati të shtruar me bizneset, pas një kompletimi të legjislacionit dhe informacionit, pas hapjes dhe mundësive që bizneset të zgjedhin alternativat më të mira, sigurisht se pas rritjes së kapaciteteve prodhuese vendore, energjetike në mënyrë që ato të furnizojnë vetveten dhe assesi të importojmë nga linjat sllave”, tha ai.


