Dokumentari “Expose” prodhim i “Gazeta Blic” ka trajtuar këtë javë temën e krimit në Veri mbi energjinë elektrike ku shpërfaqet edhe pafuqia e shtetit të Kosovës përballë krimit.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se të paguash nga taksapaguesit e Kosovës informalitetin dhe plaçkën e krimit ekonomik që ndodh në Veri është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
“Të paguash nga taksa- paguesit e Kosovës informalitetin dhe plaçkën e krimit ekonomik që ndodh ne Veri, është shkelje flagrante që ndodh me të drejtat e njeriut, sepse po merr paratë nga xhepi i qytetarëve në jug dhe po paguan rrymë në veri, ne kemi konstatu një numër të madh të shkeljeve që janë adresu në Gjykatën Kushtetuese”
Tutje Shala tha se vendimi dhe rekomandimet e Kuvendit që KOSTT të obligohet për të paguar shuma të tilla milionëshe, ka shkelje të ligjit e të bërit biznes.
“Vendimi dhe rekomandimet e Kuvendit që KOSTT të obligohet për të paguar shuma të tilla milionëshe, që në të kaluarën janë paguar edhe shuma të tjera që tani arrin deri në 21 milionë euro, ka shkelje të ligjit e të bërit biznis, ka ndërhyrje, dhe mbi të gjitha është një gabim i madh që në rrethana pandemie këto mjete të derdhen për operues ilegal të kriptovalutave në Veri. Do duhej të investohej në sundim të ligjit dhe zbatim të ligjit për këtë problematik, dhe nuk do të vinim deri në këtë situatë, për më keq ne kemi një situatë kur tani në mënyrë legale me votën e deputetëve i kemi dhënë një afat dhe i kemi paralajmëru se nuk do të merremi më ju dhe nja 6 muaj, vepruesit illegal, biznismenet e ardhur edhe nga Serbia mund të punojnë lirshëm atje sepse në një far forme këtë ia mundësojnë edhe rekomandimet që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti” tha Shala përcjell “Gazeta Blic”


